Policia ruse arreston murgun rebel, mohues të koronavirusit, pas bastisjes në manastir

29/12/2020 19:42

At Sergiy u akuzua me nxije të veprimeve vetëvrasëse teksa në meshat e tij nxiste besimtarët ‘të vdesin për Rusinë’

Skuadra speciale të policisë ruse kanë bastisur dje një manastir për të ndaluar një murg rebel që kritikonte Kremlinin dhe krerët e kishës ortodokse vendase duke mohuar ekzistencën e koronavirusit.

Gjatë aksionit të natës, policët u përplasën me mbështetësit e murgut në manastirin e Sredneuralsk në malet Urale.

Pas kapjes At Sergiy u dërgua me avion në Moskë. Kur virusi erdhi në Rusi në fillim të vitit murgu 65 vjeçar mohonte ekzistencën e tij dhe denonconte përpjekjet e qeverisë si ato të një “kampi elektronik të Satanit”.

Ndërsa përpjekjet e krijimit të vaksinës anti Covid-19 murgu ekcentrik i quante “komplot global për të kontrolluar masat me anë të mikro-çipeve”.

At Sergiy nxit ndjekësit e tij të shkelin masat kufizuese të qeverisë. Ai është izoluar në manastirin pranë Ekaterinburg, që ka themeluar vetë disa vjet më parë, i mbrojtur nga ish-ushtarakë rusë të konfliktit në Lindje të Ukrainës. Murgeshat e manastirit janë larguar prej kohësh.

Veç të tjerash, murgu ka quajtur presidentin rus Vladimir Putin, “tradhtar të atdheut” dhe shërbëtor të rendit satanik të “qeverisë botërore”. Ai ka denoncuar gjithashtu kreun e kishës ortodokse ruse Patriarkun Kirill, dhe klerikë të tjerë duke i  quajtur  “heretikë” që duhet të “flaken jashtë”.

Disa qindra mbështetës të At Sergiy u mblodhën në manastir pasi ai u mor me forcë nga autoritetet, disa prej të cilëve duke qarë.

At Sergiy, i lindur me emrin Nikolai Romanov, ka qenë oficer policie gjatë kohëve sovjetike. Më pas ai u dënua me 13 vjet burg për sulm dhe grabitje, dhe pas lirimit u kthye në murg.

Në meshat e tij ai gjithmonë ka dënuar komplotet e “qeverisë botërore” dhe ka lartësuar carin e fundit të Rusisë Nikola II, i cili u vra nga komunistët Bolshevikë, bashkë me të gjithë familjen e tij në Ekaterinburg në 1918.

FOTO GALERI
2/3
Skuadra speciale të policisë ruse kanë bastisur dje një manastir për të ndaluar At Sergiy

Top Channel