Hungaria tha sot se ka marrë 6,000 dozat e para të vaksinës ruse të koronavirusit, në një vijim të shfaqjes së politikave ‘rebele’ të Budapestit për vaksinën.
“6,000 dozat e para të vaksinës ruse kaluan kufirin e Hungarisë nga Slovakia,” tha ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto në një mesazh në llogarinë e tij në Facebook.
Ai shtoi se dorëzimi erdhi në Budapest sipas vendimit të ekspertëve mjekësorë të Hungarisë por nuk u dhanë detaje për mundësinë e përdorimit masiv të saj.
Njoftimi vjen pasi të shtunën Hungaria nisi vaksinimin para vendeve të tjera të BE, pasi mori dërgesën e vaksinave të Pfizer-BioNTech të prodhuara në Belgjikë.
Lëvizja e Budapestit e vë atë përsëri në qëndrim opozitar me Brukselin, për shmangje të qasjes së koordinuar të BE për vaksinën e koronavirusit, e cila ka nisur të dielën në të 27 vendet anëtare.
Muajin e kaluar Szijjarto tha se Hungaria do të ishte vendi i parë evropian që do të marrë mostrat e testimit të vaksinës ruse Sputnik V të koronavirusit, pasi ekspertët hungarezë kanë vizituar Rusinë për të studiuar prodhimin e saj.
Agjencia evropiane e mjekimeve, e cila ka detyrën e mbikqyrjes dhe dhënies së aprovimit të vaksinave, nuk ka bërë vlerësime për vaksinën ruse, për të cilën Moska thotë se ka efektivitet 95%.
Perëndimi ka ngritur shqetësime ndaj saj duke thënë se është prodhuar me ritme të shpejta dhe mund të jetë një mjet i rritjes së influencës gjeopolitike ruse.
“Hungaria është e hapur për të gjitha vaksinat e suksesshme që krijohen në botë, qofshin ato nga Lindja apo nga Perëndimi”, tha Szijjarto.
Top Channel