Në Gjermani debatohet, nëse ata që janë vaksinuar do të gëzojnë më shumë liri se të pavaksinuarit. Që tani shoqëri fluturimesh shprehen se për fluturimet e gjata do kërkojnë test negativ të Coronës apo provë vaksinimi.
Do të ndahen njerëzit në 2021-n në të vaksinuar e të pavaksinuar me të drejta të ndryshme? Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn është shprehur të hënën, se ai e refuzon dhënien e të drejtave të posaçme për njerëzit e vaksinuar kundër Corona. “Ne presim në solidaritet, me qëllim që disa të vaksinohen të parët. Dhe ata që nuk janë të vaksinuar presin nga ana tjetër, që të vaksinuarit të tregojnë solidaritet”, tha Spahn për grupin mediatik, Funke Mediengruppe. “Askush nuk duhet të kërkojë të drejta të posaçme, derisa të gjithë të kenë shansin për të pasur vaksinën.” Sipas Spahn është pikërisht kjo përkujdesje e dyanshme që e mban vendin të bashkuar. “Kundër pandemisë ne luftojmë së bashku, dhe do ta mposhtim atë së bashku.”
Më parë ishte ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, që kishte refuzuar privilegjet për të vaksinuarit. “Kjo do barazohej pastaj me një detyrim për vaksinim”, tha politikani kristiansocial Seehofer për gazetën “Bild”. Kundër privilegjeve është shprehur edhe politikani socialdemokrat, ekspert për shëndetësinë, Karl Lauterbach. Privilegje të tilla nuk do ishin “as të kontrollueshme, e as të justifikueshme”, ka thënë ai.
Kurse Frank Ulrich-Montgomery, president i Shoqatës Botërore të Mjekëve në plan afatgjatë është e mundshme, që njerëzit e vaksinuar të gëzojnë të drejta të veçanta. “Për momentin, kur nuk ka vaksinë për të gjithë njerëzit, nuk duhet të lejohet një gjë e tillë”, tha ai për Deutschlandfunk. Por më vonë, kur të gjithë ta kenë shansin për vaksinim, dhe dihet më shumë për imunitetit ndaj virusit në provat e gjakut, atëherë janë të mundura vendimet përkatëse. Montgomery kujton, se disa shtete kanë për shembull ndalime udhëtimi për njerëzit që nuk janë të vaksinuar ndaj etheve të verdha. Apo në Gjermani është vendosur detyrimi për vaksinimin kundër lisë për fëmijët para pranimit në kopsht.
“Disa e nënvlerësojnë kompleksitetin”
Në Gjermani në fundjavë filloi vaksinimi kundër virusit Corona. Jens Spahn reagoi edhe ndaj zërave për rritjen e sasisë së vaksinave përmes dhënies së liçencave tek prodhuesit e tjerë farmaceutikë. Disa e nënvlerësojnë kompleksitetin dhe kërkesat e cilësisë në prodhimin e vaksinës, tha Spahn për Bayerishen Rundkfunk. Me BioNTech dhe Pfizer jemi duke pasur kontakte intensive për të zgjeruar kapacitetet e prodhimit në Gjermani. Sipas Spahn, nëse BioNT fillon në pranverë me prodhimin e vaksinës edhe në Marburg, atëherë do të “rritet shumë shpejt sasia në dispozicion e vaksinave.”
Ndërkohë në Gjermani numri i njerëzve që kanë ndërruar jetë me ose nga virusi Corona e ka kaluar shifrën e 30.000 vetëve të hënën. Sipas Institutit Robert Koch 30.126 vetë kanë humbur jetën nga virusi. Disa lande gjermane janë shprehur për zgjatjen e masave kufizuese përtej 10 janarit. “Nuk jemi ende në fund”, ka thënë kryeministrja e landit Meklenburg-Pomeranisë, Manuela Schwesig./DW
Top Channel