Kina do ta kapërcejë SHBA-në, për t’u bërë ekonomia më e madhe në botë, deri në vitin 2028 parashikon një raport i ri.
Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, vlerëson se menaxhimi i suksesshëm që Pekini i bëri koronavirusit do ta ndihmojë rritjen ekonomike të vendit krahasuar me SHBA-në dhe Evropën. Ndërkohë, parashikohet që deri në 2025-të, India të kapërcejë Mbretërinë e Bashkuar si ekonomia e pestë më e madhe në botë, dhe deri në 2030-ën të renditet e treta në mbarë globin.
Edhe pse Kina ka qenë vendi i parë që është goditur nga COVID-19, ajo e ka vënë sëmundjen shpejt nën kontroll, me veprime të shpejta dhe të rrepta, duke mos pasur nevojë t’i përsërisë izolimet ekonomike, siç kanë bërë disa vende evropiane. Për rrjedhojë, ndryshe nga ekonomitë e tjera të mëdha, Kina ka shmangur recesionin ekonomik në vitin 2020 dhe, madje, pritet të ketë rritje për 2% këtë vit.
Ekonomia amerikane, në anën tjetër, është goditur rëndë nga pandemia, sa u përket shifrave. Mbi 18.5 milionë njerëz në SHBA janë prekur nga COVID-19, ndërsa mbi 330,000 kanë vdekur. Raporti sqaron se për disa kohë, lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ka qenë temë kryesore e ekonomisë globale, ndërsa pandemia e COVID-19 dhe pasojat përkatëse ekonomike e kanë çuar këtë rivalitet në favor të Kinës.
Top Channel