Vrasjet e nëntë grave tronditin Afrikën e Jugut, protesta dhe marshime kundër dhunës

19/09/2026 17:45

Afrikano-jugorët janë mbledhur këtë javë në protesta dhe aktivitete përkujtimore pas gjetjes së trupave të nëntë grave në Ekurhuleni, në lindje të Johanesburgut, duke rikthyer në vëmendje shqetësimet për dhunën ndaj grave në vend.

Policia ka gjetur trupat e nëntë grave gjatë dy muajve të fundit dhe po heton nëse vrasjet janë të lidhura me njëra-tjetrën. Shumica e viktimave ishin në të 20-at dhe 30-at e tyre, ndërsa disa u gjetën të zhveshura dhe me shenja që dyshohet se lidhen me sulme seksuale.

Të shtunën në mëngjes, dhjetëra persona morën pjesë në një vrapim përkujtimor në Johanesburg për të nderuar Elizabeth Moselakgomo, një prej viktimave. Ajo ishte zhdukur pasi kishte dalë për vrap dhe u gjet e vdekur disa ditë më vonë.

Pjesëmarrësit, të veshur me të zeza, ndezën qirinj dhe mbanin një banderolë me mesazhin: “Mjaft. Ndaloni vrasjen e femrave.”

Vrasjet kanë rikthyer zemërimin ndaj dhunës me bazë gjinore në Afrikën e Jugut, e cila u shpall katastrofë kombëtare në vitin 2025. Organizatat që mbrojnë të drejtat e grave thonë se masat dhe premtimet e autoriteteve nuk kanë arritur t’i bëjnë gratë të ndihen më të sigurta.

Presidenti Cyril Ramaphosa deklaroi të enjten se vendi nuk mund të mësohet me një dhunë të tillë dhe u zotua se autoritetet do të hetojnë deri në fund rastet.

Megjithatë, organizatat e shoqërisë civile kritikojnë policinë për mungesën e burimeve dhe problemet me korrupsionin. Sipas aktivistëve, vetëm rreth një në 10 vrasje në vend arrin të zbardhet.

“Duhet ta rishikojmë mënyrën se si funksionon policia. Arsyeja e vetme pse u gjetën këto nëntë gra ishte sepse kishte më shumë prani policore në zonë”, tha Merlize Jogiat nga organizata “Women for Change”.

Aktivistet kanë kundërshtuar gjithashtu këshillat e policisë që gratë të marrin masa shtesë sigurie kur dalin vetëm për të vrapuar apo për të ecur.

“Mos e vendosni më përgjegjësinë e sigurisë sonë mbi ne”, deklaroi organizata, duke theksuar se gratë nuk duhet ta organizojnë jetën e tyre rreth frikës nga dhuna.

Top Channel