Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla ka kërkuar nga Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar që si ndërmjetës të dialogut, të dënojnë shtetin serb për shkak të futjes përmes rrugëve ilegale të produkteve farmaceutike të pa verifikuara.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se Serbia, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës, dhe ka nëpërkëmbur procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel.

“Pres nga Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar, si ndërmjetës të dialogut, respektivisht garantues të paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon, reagim adekuat për shkeljet dhe kërcënimet destabilizuese që Serbia po ua bën marrëveshjeve dhe frymës së normalizimit përmes ndërhyrjeve të pandërprera ilegale në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Postimi i plotë:

Të sanksionohen shkeljet e Serbisë

Ndërhyrja klandestine e Serbisë në Republikën e Kosovës, duke futur përmes rrugëve ilegale një numër të caktuar të produkteve farmaceutike të pa verifikuara, si dhe administrimi i tyre përmes strukturave paralele në veriun e vendit, përbën shkelje flagrante të marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike, të arritur në vitin 2015 në procesin e Dialogut Teknik.

Serbia dhe zyrtarët të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës, dhe rrjedhimisht ka nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel.

Bashkëpunimi dhe koordinimi urgjent i autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës është imperativ për të qenë në krye të detyrës dhe në vigjilencë maksimale në mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të vendit tonë.

Gjithashtu pres nga Brukseli dhe Uashingtoni zyrtar, si ndërmjetës të dialogut, respektivisht garantues të paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon, reagim adekuat për shkeljet dhe kërcënimet destabilizuese që Serbia po ua bën marrëveshjeve dhe frymës së normalizimit përmes ndërhyrjeve të pandërprera ilegale në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA