Aktorja italiane, Ornella Muti, ka vizituar këto ditë Tiranën, për të cilën u shpreh se vitet e fundit, ashtu si edhe Shqipëria, ka pësuar një ndryshim të madh.
Ajo zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i dhuroi simbolin e kryeqytetit, “Kullën e Sahatit”.
“Kam disa miq shqiptarë, të cilët më kishin thënë se kryebashkiaku juaj është shumë i veçantë. Tani mendoj se je vërtet i tillë, prandaj jam shumë e kënaqur që takoj një kryebashkiak si ju, plot ide të mrekullueshme. Herën e parë që kam ardhur në Tiranë kam qëndruar shumë pak, por tani shoh se qyteti ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Po ashtu, edhe Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm. Kjo më duket diçka e mrekullueshme. Ju e meritoni, pas gjithë atyre viteve të vështira”,
Kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirënjohjen asaj, për kontributin në kinematografi dhe për emocionet që i ka dhuruar të gjithë shqiptarëve, sidomos para viteve ‘90.
“Kjo është Kulla e Sahatit, të cilën po ju’a dhuroj. Është kilometri zero i Shqipërisë. Të gjitha distancat maten nga Kulla e Sahatit. Dhurata më e çmuar që mund të të bëjë dikush është koha – koha që kemi jetuar, koha kur krijojmë miqësi, koha kur rritemi. Ju’a dhuroj edhe në kujtim të një kohe kur unë isha ende fëmijë, kur ne shqiptarët bënim marifetet me antenat të krijuara vetë, vetëm për të parë filmat tuaj. Të falenderoj për të gjitha kujtimet e bukura”,
Gjatë vizitës së saj, aktorja e njohur vizitoi disa nga pikat më tërheqëse të kryeqytetit dhe u njoh më nga afër me ndryshimet në Tiranë.
Top Channel