Francë/ Tre policë të vrarë teksa shpëtonin gruan nga bashkëshorti maniak i armatosur (Fotot)

24/12/2020 17:16

Tre policë heronj janë qëlluar për vdekje dje në Francë teksa tentonin të mbronin një grua nga bashkëshorti i saj i armatosur, i cili i kishte vënë zjarrin shtëpisë.

Oficerët u thirrën në një adresë të një fshati të qetë francez, ku gjetën gruan e shtëpisë që ulërinte për ndihmë në çati, ndërsa u qëlluan për vdekje nga bashkëshorti i saj që i kishte vënë zjarrin baneses.

Dy oficerë erdhën fillimisht në komunitetin relativisht të izoluar të Saint-Just, pranë Lionit, në rajonin qendror Puy-de-Dôme rreth orës 2.30 të mëngjesit.

Gruaja kishte thirrur për ndihmë pasi bashkëshorti e kishte sulmuar dhe e mbante peng, tha një zëdhënës i xhandarmërisë franceze.

Sulmuesi 48-vjeçar – siç raportohet ish-ushtarak, hapi zjarr ndaj dy oficerëve duke vrarë në vend 21 vjeçarin Arno Mavel.

Ai më pas i kishte vënë zjarrin shtëpisë ndërsa gruaja e tij arriti të ngjitej në çati për t’i shpëtuar atij dhe flakëve.

Dy oficerë të tjerë policie, 45 vjeçari Cyrille Morel, dhe 37-vjeçari Rémi Dupuis u përpoqën të arrinin te kolegu i tyre i plagosur. Por dhe ata u qëlluan për vdekje nga sulmuesi dhe një tjeter oficer u plagos në këmbë.

Lejtnant Morel ishte baba i dy fëmijëve dhe diplomuar në shkollën kombëtare të xhandarmërisë, raporton rrjeti La Montagne.

Agjencia Europe1 tha se vrasësi kishte një automatik standard ‘Famas’ të ushtrisë franceze, dy pistoleta, jelek anti-plumb dhe mjete ushtarake shikimi në errësirë.

Sulmuesi ishte praktikues sportiv i armëve, dhe një prej tyre ishte e paregjistruar.

Burri ishte mbyllur në shtëpi për të bërë rezistencë të armatosur, thanë prokurorët, dhe më pas doli nga shtëpia, duke u ndjekur nga autoritetet.

Gruaja e tij, e cila ishte në betejë ligjore me të për kujdestarinë e fëmijëve, arriti të largohej nga shtëpia për të shpëtuar.

Rreth 300 oficerë me qen dhe helikopterë iu bashkuan gjuetisë së maniakut vrasës.

Postblloqe të shumta u ngritën në të gjithë rajonin, para se i dyshuari të gjendej i vdekur rreth orës 9 të mëngjesit, informoi ministri i brendshëm Gerald Darmanin.

Sot homazhet për tre oficerët që humbën jetën në detyrë u udhëhoqën nga presidenti Emmanuel Macron.

“Kombi i bashkohet dhimbjes së familjeve të oficerëve, që vdiqën për të na mbrojtur. Ata janë heronjtë tanë,” tha ai.

Një zëdhënës i prokurorisë së Clermont-Ferrand tha se trupi i vrasësit ishte gjetur në makinën e tij në një “vetëvrasje të dyshuar”.

Agjencia Europe1 tha se vrasësi kishte një biznes punimesh druri në Saint-Just por prej verës nuk kishte punuar, sipas gruas së tij.

Gruaja që u strehua në cati ishte bashkëshortja e tij e dytë. Ai njihej nga autoritetet prej ankesave se nuk kishte paguar rregullisht pensionin e fëmijëve me gruan e parë.

FOTO GALERI
2/8
Cyrille Morel, oficer i vrare

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA