Gjigandi i shitjeve Walmart Inc. po përballet me një padi civile nga Departamenti i Drejtësisë i cili e akuzon se “lejoi shitjen në mënyrë të paligjshme” të substancave të kontrolluara, përfshirë opioidet “gjatë gjithë kohës kur ishte kulmi i krizës së opioideve”. Walmart është zotuar t’i kundërpërgjigjet padisë.
Sipas një njoftimi për shtyp, Departamenti i Drejtësisë pretendon se Walmart, që menaxhon mbi 5,000 farmaci në të gjithë vendin, shkeli “qindra mijëra” herë Ligjin për Substancat e Kontrolluara. Departamenti i Drejtësisë thotë se Walmart “me vetëdije plotësoi mijëra receta për substanca të kontrolluara që nuk ishin dhënë për qëllime të ligjshme mjekësore ose gjatë praktikës së zakonshme mjekësore dhe se plotësonte receta jashtë rrjedhës normale të praktikës së farmacisë.”
Ankesa pretendon më tej se “si operator i qendrave të tij të shpërndarjes, që ndaluan së shpërndari substanca të kontrolluara në 2018, Walmarti pranoi qindra-mijëra porosi të dyshimta që nuk arriti t’i raportonte siç kërkohej nga Administrata për Kontrollin e Drogave.” Të marra së bashku këto veprime “kontribuan në nxitjen e krizës së opioideve “, sipas Departamentit të Drejtësisë. Gjobat mund të arrijnë në miliarda dollarë.
Nëse shpallet fajtor, Walmarti mund të paguajë miliarda dollarë në dëme civile, me një maksimum prej 67,000 dollarë për çdo recetë të plotësuar të paligjshme dhe 15,000 dollarë për çdo recetë të dyshimtë që nuk e kishte raportuar. “Ka qenë një përparësi e kësaj administrate të vërë para përgjegjësisë ata që kanë luajtur rol në krizën e opioideve me recetë. Si një nga zinxhirët më të mëdhenj të farmacive dhe shpërndarësit e barnave me shumicë në vend, Walmart kishte përgjegjësinë dhe mjetet për të ndihmuar në parandalimin e përdorimit e opioideve me recetë “, tha Jeffrey Bossert Clark, ndihmësprokurori i përgjithshëm i Divizionit Civil, në një njoftim për shtyp.
“Përkundrazi, plotësoi mijëra receta të pavlefshme në farmacitë e saj dhe nuk raportoi porosi të dyshimta të opioideve dhe ilaçeve të tjera të plotësuara nga ato farmaci,” tha zoti Clark. “Kjo sjellje e paligjshme kontribuoi në epideminë e abuzimit me opioide në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Padia e sotme përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjen për ta vënë Walmartin para përgjegjësisë për këtë sjellje.”
Në një deklaratë, Walmart tha se padia “është e mbushur me pasaktësi faktike dhe dokumente të nxjerra jashtë kontekstit ” dhe se Depatamenti i Drejtësisë po përpiqet “ta largojë fajin nga dështimet e mirëdokumentuara të DEA-s që nuk ndaloi dot mjekët e këqij që të jepnin receta për opioide.” Sipas Institutit Kombëtar të Abuzimit me Drogën, në vitin 2018 mesatarisht 128 njerëz në Shtetet e Bashkuara vdiqën çdo ditë nga mbidoza e opioideve. Kostoja e krizës u vlerësua të ishte 78.5 miliardë dollarë në vit./VOA
Top Channel