Dy raste të një varianti të ri “më të transmetueshëm” të COVID-19 janë identifikuar në Britani, tha sot ministri i shëndetësisë i vendit, duke shtuar se zhvillimi ka lidhje me Afrikën e Jugut.
Të dyja rastet e variantit të ri ishin kontakte të njerëzve që kishin udhëtuar në Afrikën e Jugut javët e fundit, tha ministri i shendetesise Matt Hancock në një konferencë shtypi nga kryeministria Downing Street.
Ai shtoi se rastet dhe kontaktet e tyre tashmë janë karantinuar.
Dr Susan Hopkins, e institutit të shëndetit publik në Angli, tha se varianti i zbuluar së fundmi në Angli dhe në Afrikën e Jugut është “shumë ndryshe” dhe “me të tjera mutacione”. “Ata duken më të transmetueshëm”, shtoi ajo.
Dr Hopkins tha: “Kemi të tjera prova për përhapjen e variantit britanik, sepse e kemi studiuar në imtësi me partnerët akademikë”.
“Jemi ende duke mësuar për variantin e ri afrikano-jugor. Kemi besim se sistemi ynë zbulues tashme i ngritur, do të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së tij.”
Ndërsa minsitri Hancock tha: “Varianti i ri duket shqetësues sepse mund të ketë mutacione të mëtejshme nga varianti i parë i ri i zbuluar në fundmi në Britani. Varianti i panjohur do të analizohet së shpejti në laboratorët e Porton Down”.
Ministri i shëndetësisë tha më tej se “jemi shumë mirënjohës ndaj qeverisë së Afrikës së Jugut për analizat e tyre shkencore dhe transparencën me të cilën vepruan”.
Sipas analizave paraprake gjenetike varianti i ri i fundit ka disa mutacione të përbashkëta me variantin e ri të mëhershëm në Britani, por dy viruset janë zhvilluar në mënyrë të pavarur, thane studiuesit.
Ministri i shëndetësisë ka urdhëruar vetë-izolimin e menjëhershëm të atyre që kanë qenë në Afrikën e Jugut.
Ai shtoi se shkenca është për t’u përgëzuar per zbulimin e shpejtë të mutacioneve te virusit, edhe pse nuk dihet nëse kjo do të mjaftojë.
Top Channel