“Ata nuk të duan atje, duhet të tërhiqesh”, Trump kërkesë Netanyahut: Largo trupat izraelite nga Siria dhe Libani
Një gjykatë në Spanjë ka shpallur fajtor David Sánchez, vëllain e kryeministrit Pedro Sánchez, për shpërdorim detyre në lidhje me emërimin e tij në një post publik në rajonin e Extremadurës.
Si pasojë, ai është ndaluar të ushtrojë funksione publike për nëntë vjet.
David Sánchez, kompozitor dhe dirigjent, ishte një nga 11 personat që u gjykuan në muajin maj, nën akuzat për shpërdorim detyre dhe trafik ndikimi. Gjykata e Badajozit e shpalli fajtor vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa e liroi nga akuza për trafik ndikimi.
Sipas vendimit, posti si koordinator i shkollave publike të muzikës, në të cilin ai u emërua në vitin 2017, nuk ishte “i nevojshëm apo urgjent” dhe ishte krijuar “në interes të personit të emëruar, e jo në interes publik”. Megjithatë, gjykata theksoi se nuk u provua se ishte ushtruar presion apo ndikim politik për emërimin e tij.
Nëse do të shpallej fajtor edhe për trafik ndikimi, David Sánchez mund të përballej me deri në tre vite burg.
Në të njëjtin proces, nëntë të pandehur të tjerë morën gjithashtu ndalime 9-vjeçare për të mbajtur poste publike. Ndërsa ish-drejtuesi socialist i Extremadurës, Miguel Ángel Gallardo, u dënua me ndalim 18-vjeçar nga funksionet publike për dy raste të shpërdorimit të detyrës. Vendimet mund të apelohen.
Çështja ka shtuar presionin politik ndaj kryeministrit Pedro Sánchez, qeveria dhe familja e të cilit janë përballur me akuza të shumta për korrupsion gjatë muajve të fundit. Opozita ka kërkuar vazhdimisht zgjedhje të parakohshme, ndërsa të gjithë të akuzuarit kanë mohuar çdo shkelje.
Pedro Sánchez ka mbrojtur publikisht vëllain dhe bashkëshorten e tij, Begoña Gómez, e cila gjithashtu përballet me akuza për korrupsion, trafik ndikimi dhe shpërdorim fondesh publike. Kryeministri i ka cilësuar hetimet si pjesë e një fushate politike dhe mediatike kundër familjes së tij, duke deklaruar se “e vërteta do të dalë në dritë” dhe se të afërmit e tij janë të pafajshëm.
Pas vendimit, lideri i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, tha se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, ndërsa kreu i partisë së ekstremit të djathtë Vox, Santiago Abascal, e cilësoi edhe një herë Partinë Socialiste (PSOE) si “mafia”.
Nga ana tjetër, qeveria spanjolle deklaroi se ka besim se vendimi do të rrëzohet në instancat më të larta gjyqësore dhe se pafajësia e David Sánchez do të provohet gjatë procesit të apelimit.
Top Channel