Një gjykatë në Prishtinë dënoi me një vit e gjysmë heqje lirie një person që kishte kërcënuar ambasadorin e Kosovës në Francë. Ambasadori kishte shpërndarë një artikull të gazetës “Le Figaro” që për ilustrim kishte përdorur karikaturat e Profetit Muhamed, të publikuara nga revista franceze, Charlie Hebdo.

F.M. akuzohet për veprën penale nxitje për vepra terroriste, pasi sipas vendimit të gjykatës më 19 tetor të këtij viti rreth orës 23:00 përmes rrjetit social “Facebook” në Fushë Kosovë, me paramendim dhe dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese ndaj ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Sipas akuzës që u ngrit më 8 dhjetor, i dënuari kishte shkruar “shkurt e shqip duhet të vritet Qëndrim Gashi”.

Gjykata vendosi të premten që i dënuari të mbetet në paraburgim deri në përfundim të gjykimit, “pasi vepra penale, rrethanat me të cilat është kryer, sjellja e tij e mëparshme ku i akuzuari ndiqet penalisht  për disa vepra tjera tregojnë që ekziston rreziku se mund të përsërisë veprën penale”.

Ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, u përball me reagime pasi shpërndau në rrjetet sociale një artikull të gazetës franceze “Le Figaro” që paraqiste një kronologji të vrasjes së mësuesit francez, Samuel Paty, me 16 tetor, në periferi të Parisit nga një 18-vjeçar, i cili më pas u vra nga policia.

Ambasadori Gashi, tha se mëdyshjet në shoqërinë e Kosovës zgjidhen përmes ligjit dhe jo përmes kërcënimeve e dhunës, ndërsa u bëri thirrje të gjithë atyre që dyshojnë se ai e ka shkelur ligjin – duke shpërndarë në rrjetet sociale një artikull që përmbante karikaturat e Profetit Muhamed të revistës Charlie Hebdo, ta sfidojnë atë në gjykatë.

Burimi: VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA