FOTO+VIDEO/ Goditet rrjeti gjigant i kontrabandës së cigareve, arrestohen 39 persona (Detajet)

19/12/2020 22:14

Policia greke ka shkatërruar një prej organizatave më të mëdha të prodhimit dhe trafikimit të cigareve kontrabandë në vend.

Sipas zyrës së shtypit të policisë greke, gjatë një operacioni të zhvilluar në zonën industriale të Athinës, Aspropirgo, Elefsina, Menidhi dhe në afërsi të Thivas, 39 persona u arrestuan,dhe 8 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa në duart e policisë ra një fabrikë moderne e prodhimit të cigareve, më e madhja e gjetur ndonjëherë në vend.

Autoritet greke thanë se organizata kishte mundur të krijonte disa kompani guaskë dhe nëpërmjet faturave falco dhe një rrjeti të komplikuar shitjesh, hidhte në tregun vendas dhe atë rajonal, sasi të mëdha cigaresh të falsifikuara të markave më të njohura botërore, vlera e të cilave kalon 19.5 milionë euro.

Organizata kishte edhe një linjë tipografike për prodhimin dhe printimin e etiketave, si dhe gjithë linjën e ambalazhimit të sasive të prodhuara, cilësia e të cilave ishte shumë e ngjashme me produktin origjinal të prodhuar në linjat origjinale të prodhimit.

Për të transportuar cigaret e kontrabanduara përdoreshin kamionë me targa bullgare dhe dorëzat kryheshin në parkime privatë, nën masa të rrepta sigurie.

Burime policore thanë se policia greke kishte informacion paraprak për trafikun nga homologët e saj në një vend të Ballkanit në të cilin ishte gjetur një sasi e prodhuar prej kësaj organizate, por pa specifikuar se për kë vend bëhet fjalë.

Të njëjtat burime i thanë Top Channel, se një pjesë e mirë e prodhimit të fabrikës tashmë të sekuestruar, dërgohej në vendet e Ballkanit, Bullgari, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa prej hetimeve rezultoi se sasi të mëdha janë dërguar me kamionë edhe në vendet europiane.

Kamionët përdornin Cmr dhe fatura të falsifikuara, ndërsa në shërbim të trafikantëve ishin venë edhe një sistem i tërë bashkëpunëtorësh në të gjithë vendet e rajonit.

Në cilësinë e provës materie u sekuestruan makineritë që përdoreshin për linjën e prodhimit të cigareve, sasia prej 112 tonë duhan i grirë, gati për paketim, 92 milionë cigare të gatshme për treg, 500 paleta me më shumë se 75 milionë etiketa të markave të ndryshme të cigareve, 23 trailera që përdoreshin për transportin e ngarkesave, 12 kamionë të markave dhe tonazheve të ndryshme, 9 auto vetura dhe sasia prej 10500 euro cash.

Të gjitha makineritë dhe materialet që organizata përdorte,u sekuestruan,ndërsa hetimet vazhdojnë për gjetjen dhe shkatërrimin e sasive të prodhuara prej saj në magazina të ndryshme brenda dhe jashtë Greqisë.

Hetuesit thonë se kanë të bëjnë me një ndër organizatat më të mëdha të falsifikimit dhe tregtimit të cigareve të zbuluara në rajon,ndaj dhe besojnë se në ditët dhe muajt në vazhdim,e gjithë organizata do të dërgohet para drejtësisë.

Hetimet janë marrë në dorë prej krimit ekonomik të policisë greke,ndërsa të arrestuarit do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel