Ngjarja horror! Corriere della Sera: Trupat që u gjetën në valixhe janë të çiftit nga Vlora/ Djali i tyre shpallet në kërkim ndërkombëtar

17/12/2020 10:46

Të premten e shkuar, një zbulim i tmerrshëm do të bëhej i ditur nga mediat italiane; në katër valixhe, pranë autostradës Firence-Pisa-Livornou u gjetën të copëtuar dy trupa njerëzorë.

Ngjarja horror u lidh menjëherë me emrat e shqiptarëve Shpëtim dhe Teuta Pasho, që rezultonin të zhdukur që prej 2 nëntorit 2015. Orët e fundit, “Corriere della Sera” fshin dyshimet duke konfirmuar se bëhet fjalë për çiftin nga Vlora.

Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar djalin e tyre, 33-vjeçarin Taulant Pasho, si personi që i pa prindërit, ditën kur ata u zhdukën.

I riu ishte dënuar 4 vite për lëndë narkotike, dhe 2 nëntorin e 5 viteve më parë, Shpëtimi dhe Teuta shkuan para burgut Sollicciano për të takuar dhe përqafuar djalin e tyre, që më fund do t’i shpëtonte qelisë dhe do të lirohej. E njëjta ditë që pretendohej të ishte e gëzueshme, rezultoi krejtësisht fatale; burrë e grua humbën gjurmët, për t’u gjetur gjysmë dekade më pas, të copëtuar dhe futur në valixhe.

Kështu, Taulant Pasho është personi kyç që mund të zgjidhë misterin e vdekjes së prindërve të tij, të cilët mbërritën nga Shqipëria për ta takuar. Sipas raportimeve nga mediat fqinje, trupat e Shpëtim dhe Teuta Pashos, 62 dhe 60 vjeç, mund të kenë qëndruar në kanal për muaj të tërë, ndoshta edhe me vite.

Teksa vrasja e çiftit mbetet enigmë, hetimet, të kryera nën komandën e nënkolonelit Carmine Rosciano po marrin në konsideratë disa pista. Nuk përjashtohet mundësia që e gjitha kjo të ketë ndodhur si një mënyrë hakmarrjeje nga Taulanti, për të cilin ekziston mundësia të ketë pasur kontakte me krimin e organizuar.

Si ndodhi zbulimi i kobshëm?

Së pari u gjet një valixhe me bustin dhe një këmbë të burrit, pastaj një me gjymtyrët e poshtme të gruas dhe në fund valixhja e tretë me bustin e saj. Pjesa tjetër, gjymtyrët e poshtme të burrit, ishin fshehur në valixhen e katërt, e cila u gjet mesditën e djeshme.

Shpëtim dhe Teuta Pasho mësohet se shkonin shpesh në Toskanë, ku jetonin fëmijët e tyre. Qëndrimi i tyre i fundit në Itali ishte më 4 tetor 2015 dhe zgjati rreth një muaj.  Në këtë kohë vajza e çiftit, Dorina kishte marrë një telefonatë anonime, ku i kishin thënë se nëna e saj nuk do i përgjigjej më.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel