Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka emëruar zotin Pete Buttigieg, një nga ish rivalët e tij në fushatën presidenciale mes demokratëve, si kreun e Departamentit të Transportit në administratën e tij të re, sipas njoftimeve të medias.
Zoti Buttigieg, ish-kryetar bashkie i qytetit Sauth Bend të shtetit Indiana, ishte një pretendent surprizë në garën e demokratëve vitin e kaluar. Ai ishte kandidati i parë haptas homoseksual që fitoi delegatë në kuvendin demokrat gjatë garës për Shtëpinë e Bardhë.
Por fushata e tij përfundimisht nuk pati sukses, dhe ai doli nga gara para zgjedhjeve të Partisë Demokrate në fillim të marsit. Më pas zoti Buttigieg shprehu mbështetje për zotin Biden. Zoti Biden e ka krahasuar 38-vjeçarin me djalin e tij të ndjerë, Beau. “Për mua, është komplimenti më i madh që mund t’i bëj çdo burri apo gruaje. Ashtu si Beau, ai ka një shtyllë kurrizore të fortë,” tha ai për zotin Buttigieg.
Buttigieg është i martuar me bashkëshortin e tij, Chasten, që nga viti 2018. Nëse emërohet dhe më pas konfirmohet në krye të Departamentit të Transportit, zoti Buttigieg do të kishte nën mbikëqyrje sistemin e autostradave të vendit, aeroplanët, trenat dhe sistemet e transportit masiv. Zoti Biden është zotuar të shpenzojë miliarda dollarë për të bërë përmirësime të mëdha në infrastrukturë, pjesë e përpjekjes së presidentit të ri për të rritur ekonominë që është dëmtuar rëndë nga pandemia e koronavirusit.
Top Channel