‘Mini Ritz’/ Princi i Arabisë saudite në fushatë të re terrori anti-korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë (Fotot)

16/12/2020 20:18

Raportimet nga Arabia Saudite flasin për një fushatë të re terrori anti-korrupsion të nisur nga princi i Kurorës Mohammed bin Salman, me ndalime arbitrare dhe kërcënime ndaj zyrtarëve të lartë të mbretërisë, me qëllim çrrënjosjen e kulturës së korrupsionit dhe influencimeve të jashtëligjshme në vend.

Raportimet thonë se fushata e re ka në objektiv zyrtarë të ushtrisë dhe kuadro më të ulët të bashkive, të zyrave të shëndetit e mjedisit, për çrrënjosjen e burokracisë por dhe të konsolidimit të pushtetit të bin Salman.

Fushata e re është quajtur simbolikisht “mini Ritz”, duke iu referuar operacionit të parë të këtij lloji nga Princi i Kurorës në 2017, kur ai mblodhi në hotelin Ritz-Carlton në Riad të gjithë zyrtarët e dyshuar për abuzime e parregullsi, duke i bërë objekt të një intimidimi ekstrem dhe konfiskimi të pasurive personale, të vëna me anë të korrupsionit.

Fushata e nisur javën që shkoi ka sjellë dhjetra arrestime dhe sekuestrime të sasive të mëdha të parave në “petro-shtetin” e gadishullit arabik.

Agjencia shtetërore anti-korrupsion Nazaha tha se kishte kapur “rryshfet-marrësit me presh në dorë” gjatë operacioneve të shpejta.

Muajin e kaluar Princi tha se fushata e qendrueshme anti-korrupsion kishte siguruar 247 miliardë rial ($66 miliardë) gjatë tre viteve të fundit, në prona dhe aksione burse.

Sasi të mëdha parash ishin gjetur të fshehura në tavane, depozita uji dhe apartamentet luksoze te zyrtareve.

“Mesazhi i liderëve sauditë është se të gjithë të korruptuarit do të shkojnë në ‘Ritz’, dhe më pas në një burg të vërtetë,” tha një zyrtar vendas për rrjetin AFP, duke kërkuar të mos emërohej.

Arabia Saudite, e cila renditet në vendin 51 nga lista e 180 vende të agjencisë anti-korrupsion Transparency International, është përbalur prej dekadash me abuzime të posteve, teksa praktika e rryshfetit apo e influencës dhe lidhjeve personale e quajtur “wasta”, është e zhytur thellë në kulturën e vendit.

Çështja fitoi vëmendje që prej operacionit të ashpër nëntorit 2017, kur hoteli luksoz Ritz-Carlton u kthye në “burgun e artë” të elitës së korruptuar.

FOTO GALERI
5/6
Aktet e torturës vazhduan për disa orë në ambjentet luksoze të hotel Ritz-Carlton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA