Numër shokues vdekjesh në banesat sociale të azilantëve në Britani/ Raporti

15/12/2020 20:13
Proteste ne mbrojtje te azilanteve ne Londer

Një raport i të përditshmes “Guardian” tha sot se 29 azilantë kanë gjetur vdekjen këtë vit në banesat sociale të caktuara nga autoritetet britanike, rreth pesë herë më shumë nga sa kanë vdekur në kalimin e rrezikshëm të ngushticës Pas de Calais me Francën.

Njëzetenëntë azilkërkues të kombësive të ndryshme kanë gjetur vdekjen në banesat ku janë vendosur nga ministria e brendshme, shkruante e përditshmja, në shifrat e përftuara nga autoritetet, sipas ligjit të “lirisë së informacionit”.

Vetë ministria britanike nuk i publikon të dhënat e vdekjeve. Identitetet e të vdekurve nuk janë bërë publike dhe rrethanat e vdekjeve të tyre janë të paqarta.

Shumë azilkërkues të grupmoshës 20-40 vjec janë me shëndet dhe gjendje të mirë fizike kur nisin rrugëtimin drejt Britanisë, qe eshte fizikisht dhe emocionalisht ezaurues.

Një nga vdekjet e fundit është ajo e 27 vjeçarit Mohamed Camera, nga Bregu i Fildishtë, i gjetur i vdekur më 9 nëntor, në dhomën e hotelit ku ishte caktuar të banonte nga ministria e brendshme.

Shpeshherë hotelet e banimit të azilantëve janë në gjendje të keqe, me kushte të rënda higjenike e shëndetësore.

Camera ishte ankuar nga dhimbje kurrizi pak para se të vdiste. Ai kishte udhëtuar nga Libia drejt Britanisë, dhe kohët e fundit kishte arritur ilegalisht me barkë nga Calais.

Një nga miqtë që kishte udhëtuar me të tha për Guardian: “Ishte një njeri i sjellshëm, i shoqërueshëm. Ishte i lumtur kur arriti në Britani sepse besonte se do të niste një jetë tjetër”.

Një tjetër person, 41-vjeçar Abdullah Ahmed Alhabib, i larguar nga lufta në Jemen, u gjet i vdekur në akomodimin e tij në një hotel në Manchester më 6 gusht.
Alhabib kishte lundruar me barkë bashkë me 15 njerëz të tjerë, nga Jemeni, Siria e Irani. Ata u ndaluan nga roja kufitare dhe ishin vendosur fillimisht në qendrën e pritjes së refugjatëve Yarl’s Wood para se të vendoseshin në hotelin e Manchester.

Një hetim më 30 nëntor mbi vdekjen e refugjatit nigerian Oscar Okwurime, zbuloi se vdekja kishte ardhur nga një hemorragji e pazakontë, e cila kishte shkaktuar vdekjen prej gjendjes së rëndë e të neglizhuar të jetesës.

Publikimi i raportit ka shtuar thirrjet nga disa politikanë britanikë për hetim të plotë të 29 vdekjeve dhe përmirësim të transparencës në lidhje me shërbimet e azilkërkuesve që arrijnë në Britani.

FOTO GALERI
2/3
41-vjeçari Abdullah Ahmed Alhabib, i larguar nga lufta në Jemen, u gjet i vdekur në akomodimin e tij në një hotel në Manchester

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA