Spiropali akuza opozitës: Këta zjarrvënës duan të vijnë në pushtet me dhunë

11/12/2020 17:45
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka komentuar me anë të një statusi pas rrëfimit të babait të Klodian Rashës.

Babai i të ndjerit tha se kërkon drejtësi por policët nuk duhet të preken. Ajo e komenton si fjalë të një kthjelltësie të thellë, të një ndjeshmërie tepër prekëse dhe pse në rrethanat e një dhimbje tepër të madhe. Spiropali thekson se opozita e ka të ditur humbjen më 25 prill e prandaj vazhdon duke përdorur e nxitur dhunë.

“Më mbetën në mendje fjalët e fisme të babait të Klodian Rashës.’Dhimbjen e kam të madhe. Dua drejtësi nga shteti im. Vendin tim, shtetin tim, e dua. I kam shërbyer si ushtarak. Dhe gjithmonë do i shërbej. Edhe policët janë djemtë tanë. Nuk dua të preket asgjë në emër të djalit tim’. Edhe pse në rrethanat e një dhimbje tepër të madhe, ishin fjalë të një kthjelltësie të thellë, të një ndjeshmërie tepër prekëse. Sa larg këtij njerzillëku, kësaj ndjeshmërie dhe vërtetësie autentike shqiptare, është lukunia e hijenave politike, çakejve paramediatikë, që ngazëllehen nga gjaku për të frymëzuar dhe nxitur dhunë ndaj institucioneve, qytetit, dhe policisë së shtetit. Sa dritëshkurtër është beteja e dëshpëruar e vulëmburve që pasi s’kanë lënë dreqni pa bërë, duke parë se nga besueshmëria dhe simpatia popullore s’kanë më ç’të humbin, egërsohen edhe më tepër. E dinë ata dhe gjithë dynjaja se më 25 Prill e kanë të sigurtë humbjen. J’ua dëshmojnë sondazhet serioze. Drejtësia po ngrihet. Shqipëria po mëkëmbet. Veset e tyre parapolitike po tregohen me gisht. Polici i akuzuar është sot në burg dhe po hetohet. Ministri Lleshaj edhe pse pa asnjë lidhje të tërthortë apo të drejtëpërdrejtë me ngjarjen dha dorëheqjen. Dorëheqja e tij, mes tjerash, tregoi qartë humnerën morale, njerëzore, profesionale, që ndan atë vetë dhe shumicën tonë, nga ata që kemi përballë. E pashembullt në historinë e botës; Sali Berisha mburret jo vetëm se vrau në 21 Janar, por edhe se paska pasur ndërmend plumbin ballit liderit të opozitës. Madje, për këtë qëllim makabër, paska pasur gati edhe snajperat mbi Kryeministri si mbi kullën e malcisë. Lulzim Basha, aso kohe ministër i brendshëm, nuk guxoi t’ia dorëzonte prokurorisë gardistët që vranë, por i fshehu edhe ata në kullë te snajperat. Bashkë me vrasësit, fshehu provat e vrasjes. Ilir Meta, i quajti protestuesit kokëpalarë sepse dolën në shesh për bllokun e tij. Bllok që, me gjasa, nuk e ka grisur, e mban hapur për paligjshmëri, dhe gjoba të tjera. Këta urryes të papërmbajtur të shtetit, këta shkatërrues serialë, këta zjarrvënës, këta haxhi-qamilë modernë po duan të vijnë në pushtet me dhunë. Për të mirën e tyre dhe gjithë të tjerëve, për një mijë arsye, bëjnë mirë ta harrojnë se do mund të plotësojnë orekset e tyre ogurzeza. Përgjigjen do ta marrin me ligj dhe me votë. Çeta e keqbërësve në fjalë nuk do lejohet ta mbajë Shqipërinë larg Evropës, peng të familjeve të tyre. Shqipëria Evropiane do të bëhet. Me shqiptarët. Me Edi Ramën. Me Partinë Socialistë.  Më 25 Prill shkatërruesit e pangopur të 30 viteve do dalin nga skena përgjithmonë, dhe Shqipëria do marrë frymë lirisht”, shkruan Spiropali.

Kujtojmë se shumë qytete të Shqipërisë janë përfshirë në një valë protestash pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një polic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA