Ditën e sotme, në mbledhjen e mbajtur Qeveria e Kosovës ka miratuar 4 vendime që ndërlidhen me menaxhimin e pandemisë së COVID-19.
“Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme, është propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë për transferimin e mjeteve nga programi në kategorinë e shpenzimeve kapitale, projekti “Ndërtimi i objektit të Spitalit në Ferizaj, në shumë prej pesëqind e njëzetë e shtatë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër euro (527,145 ). Nga këto mjete shuma prej 477, 154 (katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër euro) , do të transferohen në kategorinë e shpenzimeve kapitale në projektin “Pajisje mjekësore për Departamentin e Mikrobiologjisë dhe Laboratorët Testuese”; dhe shuma prej 50,000 (pesëdhjetë mijë euro), në kategorinë e shpenzimeve kapitale në projektin “Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, pajisje kapitale” në programin Departamenti Shëndetësor i Burgjeve”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, në mbledhjen e mbajtur nga Qeveria e Kosovës është miratuar nga kabineti qeveritar edhe propozimi tjetër i Ministrisë së Shëndetësisë për nxjerrjen e Rregullores, për kushtet e kompensimit dhe proçedurat e tjera të angazhimit të përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë. Për këtë vendim thuhet se, kërkesat në rritje për angazhimin e profesionistëve shëndetësor dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19, për shkak të mbingarkesës me pacientë të infektuar me COVID-19 dhe infektimit të profesionistëve shëndetësor me COVID-19, është e domosdoshme të nxirret Rregullorja për kushtet, kompensimin, dhe proçedurat tjera për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësor dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID – 19.
Ndërsa, vendimi tjetër i miratuar nga kabineti qeveritar aprovon kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë me të cilën autorizohet pagesa e avancit 100%, me vlerën 7.971.043.11 Euro, për furnizimin me pajisje mjekësore, të nevojshme për parandalimin dhe luftimin e COVID 19. Avanci bartet në vitin e ardhshëm fiskal dhe mbetet i hapur në një afat prej 7 muaj dhe do të mbyllet, përkatësisht arsyetohet nga Ministria e Shëndetësisë ashtu siç pranohen faturat dhe pajisjet e porositura sipas procedurave të blerjes së pajisjeve mjekësore, por jo me vonë se 30.06.2021. Vendimi i mundëson Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërmarrë të gjitha proçedurat e nevojshme ligjore për zbatimin e Marrëveshjes Ndërmjet Republikës së Kosovës.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për nismën e negocimit të marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim; Programi për Mbështetjen e Shëndetësisë në Kosovë, ku gjatë negocimit të kësaj marrëveshjeje, Ministria e Shëndetësisë obligohet të procedojë konform dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe dispozitave tjera ligjore në fuqi.
Top Channel