Kancelarja Angela Merkel, të mërkurën kërkoi masa më të ashpra për të ulur numrin e infektimeve me koronavirus, ndërsa bilanci i viktimave arriti një rekord të ri ditor prej afro 600 personash që e kanë humbur përballjen me Covid-19.
Gjermania ka ndërmarrë masa më pak shtrënguese se vende të tjera evropiane, pasi doli nga vala e parë e pandemisë, relativisht në një pozicion të favorshëm. Por, ekonomia më e madhe e Evropës, është goditur më rëndë nga vala e dytë, me infektime të reja ditore që janë tre herë më të larta nëse krahasohen me kulmin e pranverës. Merkel tha se ajo besonte se udhëzimet për të cilat u ra dakord dy javë më parë, me liderët lokalë, nuk ishin të mjaftueshme.
“Mua më vjen shumë keq, por nëse ne duhet të paguajmë çmimin e një bilanci ditor viktimash prej afro 600 personash, atëherë kjo nuk është e pranueshme”, tha Merkel.
Duke përmendur rekomandimet e publikuara një ditë më parë nga shkencëtarë gjermanë, Merkel tha se është e drejtë të mbyllen dyqanet dhe të kufizohen tubimet sociale. Shkencëtarët kanë kërkuar që të gjithë dyqanet, përveç atyre që shesin mallra të domosdoshëm, të mbyllen mes krishtlindjes dhe 10 janarit. Punonjësit po ashtu duhet të punojnë nga shtëpia kur është e mundur ndërsa shkollat të mbyllen po ashtu. Ideja është të shfrytëzohet periudha festive për ti mbajtur njerëzit në shtëpi dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimeve.
“Nëse do të kemi shumë kontakte para krishtlindjes dhe përfundojmë duke kaluar krishtlindjet e fundit me gjyshërit tanë, atëherë do të kemi dështuar”, u shpreh kamcelarja.
Top Channel