Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr pjesërisht një pjesë të stafit nga ambasada në Bagdad, pasi tensionet me Iranin dhe grupet e milicisë irakiane po rriten.
Ambasadori amerikan, Mathew Tueller, konfirmoi më 3 dhjetor një “zvogëlim të përkohshëm” të stafit në mision. Në një video të postuar në faqen e Ambasadës Amerikane në Facebook, Tueller tha se ai dhe një ekip kryesor i diplomatëve dhe këshilltarëve ushtarakë do të vazhdonin të kryenin detyrat. Është e paqartë se sa nga qindra diplomatët në ambasadën më të madhe të SHBA ishin tërhequr.
Vendimi vjen derisa presidenti amerikan, Donald Trump, ka rritur presionin mbi Iranin përpara tranzicionit të pushtetit te presidenti i zgjedhur Joe Biden, i cili ka thënë se do të përpiqet të ringjallë diplomacinë me Iranin.
Biden pritet që të shtojë përpjekjet për t’iu ribashkuar marrëveshjes bërthamore të fuqive botërore me Iranin. Trump u tërhoq më 2018 nga kjo marrëveshje. Biden ka thënë se do të punojë me aleatët për të fuqizuar kushtet e marrëveshjes, nëse së pari Teherani rifillon angazhimin.
Tensioni është rritur në të gjithë rajonin pas vrasjes së javës së kaluar të shkencëtarit bërthamor iranian, Mohsen Fakhrizadeh pranë Teheranit. Irani ka fajësuar Izraelin dhe, indirekt, Shtetet e Bashkuara, duke rritur mundësinë që Irani ose një prej përfaqësuesve të tij rajonalë të hakmerret.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur gjithashtu shqetësim se, Irani ose aleatët e tij të milicisë irakiane, mund të kryejnë veprime hakmarrëse në përvjetorin e parë të një sulmi me dron amerikan që vrau gjeneralin e lartë të Iranit, Qasem Soleimani dhe udhëheqësit e lartë të milicisë irakiane, pranë aeroportit të Bagdadit, më 3 janar.
Tërheqja e pjesshme nga ambasada po ndodhë pasi Trump, muajin e kaluar, ka urdhëruar një reduktim të trupave amerikane në Irak nga 3.000 në 2.500 deri në mes të janarit.
Në shtator, administrata e Trumpit paralajmëroi Irakun se do të mbyllë ambasadën e saj në Bagdad si një përgjigje e sulmeve të përsëritura me raketa dhe sulmeve të tjera të milicive të mbështetura nga Irani ndaj interesave amerikane dhe aleate në vend.
Top Channel