Një mësuese në shkollën “Mihal Duri” në Arbanë, Tiranë, ka kërcënuar prindërit e një nxënësi se “nuk do ta shohin më fëmijën me sy”. Ajo u ka shkuar në banesë, dhe pa u shpjeguar se çfarë kishte bërë fëmija, apo vetë ata, i ka kërcënuar.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua një zonjë nga Arbana, e cila pohoi se e ka djalin në klasë të tretë në shkollën e fshatit. Ajo thotë se, disa ditë më parë, mësuesja e djalit i ka shkuar në banesë dhe e ka kërcënuar. Mësuesja quhet Ëngjëllushe Xhabafti. “Më erdhi në shtëpi dhe filloi të më kërcënojë. Më thoshte se nuk do e shihni më me sy fëmijën. Më tha do e shohësh se çfarë do t’i bëj unë fëmijës. U tmerruam dhe i kërkova se çfarë kishte bërë fëmija im. E pyeta disa herë, por mësuesja nuk më tha se çfarë kishte bërë. Vetëm më kërcënonte. E kam pyetur djalin dhe mësuesja nuk ushtron dhunë në klasë. Nuk i ka prekur me dorë” thotë ajo, ndërsa shton se nuk ndihet e sigurt. “S’po dimë se ku po e çojmë, kemi frikë” përfundoi zonja.

Pas denoncimit, nëna e fëmijës shkon në shkollën e fshatit dhe takon mësuesen dhe drejtorin. Mësuesja e pranon se i ka shkuar në shtëpi dhe i ka thënë ato fjalë. Ajo i thotë se “ta them prapë”. Nuk e mohon që ta ketë kërcënuar, ndërsa prindi e pyet disa herë se çfarë ka bërë fëmija i saj. Por, asnjëherë nuk i tregon se çfarë ka bërë fëmija në klasë. Mësuesja nuk i tregon asnjë gjë. Nëna takon edhe drejtorin e shkollës, i cili thotë se veprimet e mësueses janë jashtë shkolle dhe jo në shkollë. Ai thotë se përderisa janë jashtë, nuk mund të marrë asnjë masë.

Gazetarët e “Fiks Fare” takuan mësuesen dhe e pyesin disa herë se çfarë ka bërë fëmija në klasë. Mësuesja thotë se nuk jep shpjegime, vetëm te drejtori dhe te Zyra Arsimore. Ajo pohon se ka të drejtë tu shkojë në shtëpi dhe të takojë prindërit e fëmijëve, ndërsa mohon që t’i ketë kërcënuar. Pasi i themi se e kemi faktuar se i ka kërcënuar, thotë se është e drejta e saj që të marrë masa kur fëmijët janë të shfrytëzuar. Por, asnjëherë nuk tregon se çfarë ka ndodhur. Gazetarët pyesin edhe drejtorin e shkollës se çfarë ka ndodhur. Ai thotë se mësuesja është nga fshati Arbanë dhe i njeh prindërit. Sipas tij, konflikti është shuar. E pyesim se çfarë ka ndodhur për të tillë situatë, ndërsa na tregon se i gjithë sherri ka qenë pasi dy fëmijë i kanë marrë një fletore mësueses.

 

***

 

SHKOLLA 9-VJEÇARE “MIHAL DURI”, ARBANË

 

Nëna takon mësuesen e djalit

 

Nëna e fëmijës – Se nuk vjen çuni sa të sqarohet, pa u sqaruar unë me ty.

Mësuesja – Se nuk vjen çuni në shkollë e bëre ti. … është fëmijë.

Nëna e fëmijës – Me cilën e ke ti, me prindërit?!

Mësuesja – Çfarëdo të ketë bërë fëmija, është fëmijë. Unë nuk gjykoj fëmijët, unë nuk mbaj inat me kalamaqtë. Unë e kisha me ty.

Nëna e fëmijës – Me mua, pse çfarë kishe?

Mësuesja – Një sekondë, tani ka ndodh çfarë ka ndodh.

Nëna e fëmijës – Dua të di dhe unë ça ka ndodh tani, jam prindi.

Mësuesja – Të lutem, ka ndodhur ça ka ndodhur, e di më mirë sesa unë.

Nëna e fëmijës – Una?!

Mësuesja – Po.

Nëna e fëmijës – Unë s’di gjë fare, po të pyes ty. Ma shpjego çik ta di.

Mësuesja – Do ta sqaroj deri në fund.

Nëna e fëmijës – Po ma sqaro deri në fund. Vazhdo me sqaro.

Mësuesja – Tani, ka ndodhur çfarë ka ndodhur.

Nëna e fëmijës – Po ça ka ndodhur tani, u bë hera e dytë.

Mësuesja – Më lër ta mbaroj.

Nëna e fëmijës – Hë vazhdo.

Mësuesja – Ka ndodhur ça ka ndodhur, a e di ti, apo s’e di ti, e di unë apo s’e di unë, unë erdha të thashë.

Nëna e fëmijës – Jo s’më ke thënë asnjë gjë, s’më ke shpjegu.

Mësuesja – Nuk të erdha për të shpjeguar, se di më shumë sesa unë.

Nëna e fëmijës – Unë nuk di gjë.

Mësuesja – Të lutem, të lutem.

Nëna e fëmijës – Po ma shpjego ça ka bë, këtë dua të di unë!

Mësuesja – Jo, jo s’ka bërë asnjë gjë çuni.

Nëna e fëmijës – Po ti the ka bërë.

Mësuesja – Jo, jo nuk të thashë!

Nëna e fëmijës – Aaa po ça kemi bërë ne si prind që e kemi mësu.

Mësuesja – Më prite ti, më prite ti. Unë bëra gabim që u irritova atë ditë, sepse më takon mua të të bind ty si prind.

Nëna e fëmijës – Më bind pra.

Mësuesja – Unë u mërzita.

Nëna e fëmijës – Respektin ta kam bërë herën e parë, po të më vish mua te shtëpia dhe të më thuash që do ta bëj çunin tat që mos ta shohësh më me sy.

Mësuesja – Të lutem, nëse fëmija…

Nëna e fëmijës – A e the këtë llaf?

Mësuesja – Po e thashë.

Nëna e fëmijës – E pranon?

Mësuesja – Po, po e thashë. E thashë dhe e them prapë.

Nëna e fëmijës – Thuaje ta dëgjojë edhe njëherë.

Mësuesja – Nëse fëmija shfrytëzohet, kaq po të them, unë kam të drejtë të ankohem, se është fëmijë, është fëmijë.

Nëna e fëmijës – Po ankohu.

Mësuesja – Nëse ka ndodh ça ka ndodh.

Nëna e fëmijës -Dua të di ça ka ndodh pra.

Mësuesja – Prit pra, prit ça të them unë. Lushi (mësuesja) është e pafajshme, se po të ishte për tu hakmarrë Lushi ja kishte nxjerrë fundin deri më sot.

Nëna e fëmijës – Dua ta di unë ça ka bërë fëmija im 8 vjeç.

Mësuesja – Nuk dua ta them. Çuni jot 8 vjeç është flori. Është flori po të them, se është fëmijë.

Nëna e fëmijës – Po atëherë ça ka bërë?

Mësuesja – Unë nuk dua komplot të prindërve.

Nëna e fëmijës – Jo unë s’kam bërë komplot.

Mësuesja – Ke bërë apo s’ke bërë, unë s’jam budallaqe që erdhe te ty.

Nëna e fëmijës – Jo fajin e ka mësuesja që tha unë do ta bëj çunin tat, është hera e dytë.

Mësuesja – Të thashë ty, të thashë ty. Çunit s’i kam thënë, s’i kam bërrtit asnjëherë.

Nëna e fëmijës – Më the mua.

Mësuesja – Nëse ti i tregon çunit çdo gjë, do të mendohesh.

Nëna e fëmijës – Më ke thënë që do ta bëj çunin tënd që mos ta shohësh më me sy.

Mësuesja – Të thashtë ty!

Nëna e fëmijës – Si, mos ta shoh më me sy?!

Mësuesja – Po, po. Çdo fjalë që kam thënë, nuk tërhiqem mbrapsht.

Nëna e fëmijës – Unë dua sqarim ça ka bërë fëmija im tani.

Mësuesja – Çdo fjalë që kam thënë nuk tërhiqem mbrapsht.

Nëna e fëmijës – Mirë dakord.

Mësuesja – Do ta sqaroj këtu në shkollë.

Nëna e fëmijës – Sqaroje.

 

Nëna e fëmijës takon drejtorin e shkollës

 

Nëna e fëmijës – Unë e pranoj më tha që e kam thënë që çunin tat mos ta shohësh më me sy, unë nuk i bëj gjë çunit në klasë. Po tani, si ta lë me çunin kur më kërcënon te shtëpia, s’e di tashti.

Drejtori i shkollës – Kushedi si ka qenë, ta thashë unë atë ditë. Nga truni se ça ka me ty, me mu me tjetrin.

Nëna e fëmijës – Epo ajo tani më vjen më bën presion, ku e di unë si ia jep truni asaj.

Drejtori i shkollës – Të të dalë e të rrahë s’kam gale, po fëminë mos ta preki. Ty le të bën, të vriteni po deshe.

Nëna e fëmijës – Tani du me dit.

Drejtori i shkollës – Varet si rastis.

Nëna e fëmijës – Se ajo kishte shku shpi më shpi, nënës së … i kishte thënë që do të marr policinë.

Drejtori i shkollës – Haha, duhet ta marrësh ti policinë, jo ajo!

Nëna e fëmijës – Kur një mësuese kërcënon prindërit te shtëpia, e të lësh fëminë me atë mësuese, mua më duket çik e vështirë. Apo s’është kështu?

Drejtori i shkollës – Përderisa ajo ka ardhur, ajo ka 25 vjet, ajo ashtu ka qenë gjithmonë, ashtu ka ardhur, nuk është bërë sot.

Nëna e fëmijës – Po si ka 25 vjet, që të kërcënojë në sy të komshiut ta bëj fëminë thotë mos ta shohësh më me sy. E pranoi vetë, e kam thënë më tha.

Drejtori i shkollës – Varet me ça mendje e ka thënë! Nuk e mohon që nuk e kam thënë…

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA