Kosova dhe Serbia zyrtarisht janë të përfshira në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por takimi në nivel liderësh, i parashikuar të mbahej në fund të shtatorit, është shtyrë vazhdimisht nën arsyetimin e “bllokimit nga pandemia”.

Pandemia ndërkohë, nuk e pengoi zhvillimin e një tjetër takimi, atë të datës 29 tetor mes  shefave të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni dhe Petar Petkovic në Bruksel, ku kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve. Në Bruksel, këmbëngulin se dialogu nuk është bllokuar.

“Që nga rifillimi në korrik, dialogu po vazhdon dhe po avancon me takime të ekspertëve edhe në nivel politik. Takimi radhës i nivelit të lartë politik do të thirret në Bruksel sapo ta  lejojnë kushtet”, tha për Radion Evropa e Lirë, njëri nga zëdhënësit e BE-së, Peter Stano.

“Për shkak të valës së dytë të pandemisë COVID-19, Brukseli është krejtësisht i mbyllur për takime. Nuk ka asnjë pengesë tjetër. Janë duke vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike sapo të krijohen rrethanat”, deklaruan për të njëjtën media edhe burime nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Për herë të fundit, Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vucic u takuan në kryeqytetin belg në 7 shtator, ku Vucic ngriti dhe çështjen e shumëdiskutuar të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA