Drejtori ekzekutiv i grupit farmaceutik amerikan “Pfizer”, Albert Bourla konfirmoi sot se kërkesa për autorizimin e marketingut të vaksinës antiCOVID-19 do të paraqitet shumë shpejt në SHBA dhe, nëse gjithçka shkon mirë, mund të lejojë vaksinat e para në dhjetor.

“Ne jemi shumë afër paraqitjes së një kërkese për autorizim urgjence”, tha ai gjatë një konference të organizuar nga faqja “Statneës”, raporton ATSh.

Bourla as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi që kjo mund të ndodhë këtë javë, ndërkohë që më parë ai kishte thënë se kërkesa do të bëhej me gjasë në javën e tretë të nëntorit.

Kjo vaksinë eksperimentale është zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë gjermane “BioNTech”.

Leja e urgjencës është një leje e përkohshme ose e kushtëzuar e dhënë nga Agjencia e Barnave të Shteteve të Bashkuara (FDA) për t’iu përgjigjur një urgjence të tillë, siç është një pandemi.

Ajo mund të revokohet ose modifikohet, nëse të dhëna të reja mbi efikasitetin ose sigurinë shfaqen më vonë.

Top Channel