RENEA blindon zonën dhe i bën thirrje për dorëzim, Nertil Buzi ‘shpërthen’ në të qara dhe akuzon familjen e ish-partneres: Ata ma kanë bërë, më kanë marrë paratë

24/07/2026 12:05

Autori i vrasjes në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, Nertil Buzi, i cili ndodhet ende në arrati, pretendon se ka humbur një shumë prej 730 mijë paundësh për shkak të familjarëve të ish-partneres së tij.

I arratisur dhe me armë gjahu me vete, 35-vjeçari Nertil Buzi, sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, shfaqet duke qarë dhe shprehet se fajtorë për humbjen e këtyre parave janë familjarët e ish-partneres së tij.

“Ata ma kanë bërë, më kanë marrë 730 mijë paund”, raportohet të jetë shprehur ai.

Mëngjesin e sotëm ai vrau me armë zjarri ish-vjehrrin e tij, 55-vjeçarin Arben Plaka dhe plagosi ish-vjehrrën, Belere Plaka.

Më pas ai u arratis nga vendngjarja duke marrë peng edhe ish-partneren, të cilën e la të lirë disa orë më pas, pasi forcat RENEA rrethuan zonën.

Forca të shumta policie, efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale, Forcës Kombëtare të Sigurisë (RENEA), Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier vijojnë operacionin e gjerë në fshatin Çerven, në kufi me Mallakastrën, pranë fshatit Drenie, për kapjen e 35-vjeçarit që mëngjesin e sotëm vrau ish-vjehrrin e tij.

Operacioni është përqendruar në zonën ku dyshohet se autori mund të jetë fshehur, ndërsa kontrollet po vijojnë intensivisht nga toka dhe dronë nga ajri. Policia mbetet në ndjekje të autorit, ndërsa apelon për bashkëpunimin e qytetarëve dhe kërkon që çdo informacion i vlefshëm të njoftohet menjëherë pranë strukturave të rendit.

Top Channel