Ermonela Jaho ambasadore e Shqipërisë në luftën kundër dhunës e shfrytëzimit seksual të fëmijëve

18/11/2020 12:49
Ermonela Jaho

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho do të jetë në krah të CRCA/ECPAT Shqipëri, për të luftuar kundër dhunës e shfrytëzimit seksual të fëmijëve.

Me anë të një videoje në shqip dhe anglisht, ajo i njoftoi të gjithë angazhimin e saj më të ri.

Ermonela Jaho, një ndër sopranot më të vlerësuara në botë, ka njoftuar se ka pranuar që të jetë ambasadore e CRCA/ECPAT Shqipëri në luftën kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Dhunuesit në mënyrë çnjerëzore po rrëmbejnë çiltërsinë dhe brishtësinë e fëmijëve të dhunuar, por ata nuk do të arrijnë KURRË ti bëjnë ata të heshtin! Të bëhemi ZËRI i atyre që nuk kanë zë për të folur dhe për të treguar!”, thotë  Ermonela Jaho, duke ftuar të gjithë të bashkohen në luftën kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Shpallja e saj Ambasadore përkon me rritjen e tejskajshme të rasteve të dhunës dhe shfrytëzimit të vajzave për qëllime seksuale kudo në Shqipëri, duke e kthyer këtë çështje në një ndër më thelbësoret për jetën dhe mbrojtjen e fëmijëve. Barnahus Shqipëri vetëm në dy vitet e fundit ka shpëtuar nga kthetrat e pedofilëve 30 fëmijë dhe adoleshentë nga e gjithë Shqipëria.

E cilësuar si “interpretuesja operistike më e vlerësuar në botë”, Jaho do të angazhohet në ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe adoleshentëve, prindërve, nënave e baballarëve, për të folur hapur dhe raportuar pa frikë çdo ngjarje të dhunës, ngacmimit apo shfrytëzimit seksual.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA