Kryetarja e komisionit të Barazisë Gjinore dhe Mirëqënies Sociale të Këshillit Bashkiak Durrës Klementina Meçi ka bërë sot të ditur kategoritë përfituese duke i ftuar familjet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës.
Këshilli Bashkiak Durrës më anë të vendimeve të marra dhe përkatësisht në lidhje me uljen e detyrimit mujor dhe shërbimin pa pagesë për kategoritë në nevojë ka njoftuar banorët e qytetit të Durrësit dhe ato në njësitë administrative të kësaj bashkie për përfitim të reduktimit të tarifës së regjistrimit të fëmijëve në institucionet e arsimit parashkollor – kopshtet dhe çerdhet.
Sipas vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, shtresat në nevojë që përfitojnë reduktim të tarifës për regjistrim në arsimin parashkollor – kopshte, janë:
1. Familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike të përjashtohen nga detyrimi mujor.
2. Familjet me binjakë e lart paguajnë vetëm për njërin fëmijë.
3. Familje të cilët kanë një prind invalid (me komision mjeko ligjor) dhe tjetrin të papunë (vërtetim nga zyra punës ) përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor.
4. Fëmijë të vajzave nëna, sipas statusit në regjistrat e Gjëndjes Civile përfitojnë gjithashtu 50% reduktim nga detyrimi mujor.
5. Familjet ku vetë fëmija që ndjek institucionet arsimore parashkollore është me aftësi të kufizuar të vërtetuar me komision mjeko-ligjor, përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor.
6. Fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor.
Të përballur fillimisht me tërmetin dhe në vazhdim me pandeminë dhe pasojat e tyre, shtresat në nevojë të shoqërisë janë zhytur më tej në varfëri. Lidhur me këtë vendim për familjet me fëmijë të vegjël, autoriteti vendor njofton se kategoritë përfituese duhet të interesohen më tej për informacion dhe plotësim të dokumentacionit të nevojshëm për regjistrim të fëmijëve sipas këtyre lehtësimeve, pranë kopshteve që i korrespondojnë vendbanimit të tyre.
Top Channel