Eksportet ranë gjatë pandemisë/ Në 10 muaj u eksportuan 1.8 miliardë euro mallra ‘made in albania’

17/11/2020 15:21

“Pas një përmirësimi të lehtë që shënuan në shtator, eksportet shqiptare iu rikthyen sërish rënies gjatë tetorit, pasi sipas Instat arritën vlerën e 27 miliardë lekëve (218 mln euro), duke u tkurrur me 0.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë”.

Por, si periudhë 10-mujore eksportet e produkteve Made in Albania arritën në 221 miliardë lekë (ose 1.8 mld euro) , apo 31 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e 2019-ës, si pasojë e perfomancës negative të regjistruar gjatë muajve Mars-Gusht.

Ecurinë më negative në tetor e kanë shënuar  “mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike” me një rënie prej 5%, kjo për shkak të uljes së ekporteve të naftës nga Bankes Petrolium drejt Spanjës, blerësit kryesor të kësaj lënde.

Fasonët nga ana tjetër, që janë edhe grupi më i madh eksportues në vend ka parë sërish një tkurrje muajin e kaluar me 2.1%, për shkak të rënies së porosive nga vendet e huaja dhe rënies së fortë të kërkesës për veshje e këpucë.

Kjo ka detyruar fasonët që të diversifikojnë prodhimin dhe t’i përshtaten kërkesave të tregut, duke e orientuar atë drejt maskave dhe veshjeve të tjera mjekësore.  Produktet ushqimore nga ana tjetër, pijet dhe duhani vijojnë të kontribuojnë pozitivisht, pasi eksportet e këtij grupi u rritën me 2.7% muajin e kaluar, teksa përmirësim pa edhe grupi i materiale ndërtimi e metale. Kjo pasi ndërtimet e pezulluara gjatë karantinës iu rikthyen punës duke rritur kërkesën për këto lëndë.

Ajo që vihet re nga të dhënat e Instat, është ndryshimi i hartës së vendeve drejt të cilave eksportoi Shqipëria muajin e kaluar, ku rritjen më të madhe e pati me Kosovën, Gjermaninë si dhe Greqinë, teksa eksportoi më pak drejt Spanjës dhe Kinës.  Edhe importet nga ana tjetër kanë parë një rëne të lehtë për tetorin, teksa deficit tregtar përllogaritet në 33 miliardë lekë, duke u rritur me 0.8% krahasuar me një vit më parë.

Top Channel