Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar të enjten Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të parë nga afër gjendjen nëpër spitale gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Kjo është situatë e luftës, duke u përballur çdo ditë me një rrezik të madh, me viktima”, ka thënë Hoti.

Kryeministri Hoti ka falënderuar stafin shëndetësor për përballje me pandeminë në tetë muajt e fundit. Ai ka thënë se fatmirësisht numri i viktimave nuk është aq i lartë sa ai i vendeve të rajonit. Një ditë më parë Kosovës i janë​ shtuar 773 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 1,519 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka raportuar të mërkurën për katër viktima.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 26,121 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre 777 pacientë kanë vdekur. Kryeministri Hoti, ka prezantuar të mërkurën masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Sipas Hotit këto masa do të hyjnë në fuqi të premten.

Zyra e kryeministrit Hoti ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se procesi i votimit të masave të reja do të përmbyllet të enjten.

Masat e prezantuara nga kryeministri ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e portokalltë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA