Reperja me famë botërore, Cardi B, është detyruar që të kërkojë falje publikisht. Kjo pasi një grup fansash e kanë kritikuar dhe akuzuar.

Arsyeja? Reperja ka postuar së fundmi për revistën e njohur “Footwear News”, ku shfaqej e veshur me një fustan, ndërkohë që mbante në duar një atlete të kuqe nga bashkëpunimi me “Reebok”.

Pas Cardi-t, shfaqeshin tetë duar të tjera, një imazh i bazuar tek perëndesha hindu, Durga. E pikërisht këtë detaj fansat e saj nuk e kanë pëlqyer aspak, pasi e kanë cilësuar si ofendim ndaj besimit të tyre.

Si pasojë, pasi ajo i ka lexuar këto komente ka vendosur që të reagojë përmes postimeve në rrjetet sociale. 28-vjeçarja ka bërë një postim në “Instastory” ku pranon se duhet të kishte bërë kërkime përpara se të realizonte diçka të tillë.

“Kur bëra xhirimet e ‘Reebok’, krijuesi më tha se do të isha një perëndeshë që përfaqëson forcën, feminitetin dhe çlirimin, dhe kjo është diçka që unë e dua, për të cilën jam gati kurdoherë dhe mendova ta realizoja.

Nëse njerëzit mendojnë se kam ofenduar kulturën apo fenë e tyre, dua të them që më vjen keq. Ky nuk ishte qëllimi im. Nuk do të doja që askush të mos e respektonte fenë time, me njerëz të veshur si Virgjëresha Mari ose Jezusi.

Ndoshta duhet të kisha bërë më shumë kërkime. Më vjen keq, nuk mund ta ndryshoj të shkuarën, por do të bëj më shumë kërkime në të ardhmen”, është shprehur Cardi B.

Pas reagimit të reperes së famshme dhe kritikave nga fansat e saj, revista publikoi një kopertinë tjetër, ku artistja shfaqej e veshur e gjitha në të zeza.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel