Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani deklaruan se situata epidemiologjike, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, është serioze dhe ka mundësi përkeqësimi.
Në një deklaratë për shtyp, thuhet se shifrat e fundit të të infektuarve në Kosovë flasin për 120 të prekur me koronavirus në 100,000 banorë. Aty nuk përjashtohet as mundësia e ashpërsimit të masave me qëllimin të vihet sëmundja nën kontroll. Një ditë më parë, Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja ku përfshihej kufizimi i orarit të punës për sektorin e gastronomisë dhe qendrave tregtare.
Po ashtu, qytetarët mbi 65 vjeç do të kenë orar të caktuar lëvizjeje, nga 06:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Jashtë këtij orari, ata mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore. Personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna janë të justifikuar të mos shkojnë në punë dhe punëdhënësit e tyre, sipas qeverisë, detyrohen t’u krijojnë kushte për angazhimin e tyre online nga shtëpia. Në 24 orët e fundit, Kosovës iu shtuan 486 raste të reja dhe 9 viktima.
Top Channel