Beteja për vota Trump-Biden një ditë para zgjedhjeve

02/11/2020 16:27

Disa muaj fushate zgjedhore mbërritën sot (e hënë) në ditën e fundit të tyre me kandidatët për garën presidenciale që po vazhdojnë të bindin votuesit e pavendosur si dhe po nxisin mbështetësit e tyre të votojnë. Presidenti Donald Trump dhe ish-Nënpresidenti Joe Biden po zhvillojnë takime elektorale në shumë shtete që do të jenë ndër më të rëndësishmet në përcaktimin e rezultatit.

Ndalesa e përbashkët në itinerarin e tyre është Pensilvania, një shtet ku zoti Biden kryeson sipas sondazheve të fundit, por që zoti Trump e fitoi gjatë garës presidenciale të 2016. Fituesi i Pensilvanisë fiton 20 nga 270 votat elektorale që i duhen një kandidati për të marrë një mandat katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump do të zhvillojë një tubim në aeroportin ndërkombëtar Wilkes-Barre Scranton, ndërsa zoti Biden do t’u drejtohet mbështetësve të tij në një aktivitet me makina, për shkak të pandemisë, në Pitsburg.

Ndalesa tjetër e zotit Biden të hënën do të jetë Ohajo, një shtet me 18 vota elektorale. Sondazhet i tregojnë të dy kandidatët të ngërthyer në një garë të ngushtë me njëri-tjetrin.

Presidenti Trump shkon edhe në Karolinën e Veriut, një tjetër shtet ku dy kandidatët garojnë kokë më kokë si dhe në dy shtete të tjera si Miçigani dhe Uiskonsin. Në dy këto të fundit sondazhet nxjerrin në avantazh zotin Biden, por ato ishin pjesë e rëndësishme e fitores së zotit Trump në 2016.

Rezultatet nuk pritet të shpallen zyrtarisht për disa javë nga dita e zgjedhjeve. Afatet ndryshojnë nga shteti. Disa pritet t’i bëjnë ato të ditura brenda një jave, por shumë prej tyre duhet të presin për shpalljen e rezultateve përfundimtare deri në fund të nëntorit apo në fillim të muajit dhjetor.

Prej shumë vitesh, fituesi ka qenë i qartë para shpalljes së rezultateve zyrtare për shkak të parashikimeve të bëra nga organizatat mediatike bazuar në të dhënat nga zonat e votimit. Këtë vit një numër rekord amerikanësh kanë votuar paraprakisht, të paktën 94 milionë deri të dielën në mbrëmje dhe në kushtet kur shumë prej votave janë hedhur me postë për shkak të shqetësimeve të lidhura me koronavirusin, numërimi në disa shtete mund të jetë më i ngadaltë se zakonisht.

Presidenti Trump i ka kritikuar vendimet e disa gjykatave që u kanë dhënë të drejtën disa shteteve të numërojnë edhe ato vota që do të dërgohen me postë ditën e zgjedhjeve, duke përcaktuar një afat që varion nga shteti në shtet, se deri kur mund të pritet për to.

Ai e përsëriti kundërshtinë e tij gjatë ndalesave të shumta të fushatës të dielën, duke thënë, por pa ofruar asnjë provë se “mund të ndodhin shumë mashtrime dhe abuzime”.

Zoti Trump sinjalizoi se zyrtarët e fushatës së tij po përgatiten për sfida ligjore lidhur me numërimin e fletëve të votimit të hedhura jo të qendrat e votimit në Pensilvani, çështje që u bë objekt i një vendimi të Gjykatës së Lartë javën e kaluar.

Ai gjithashtu shprehu pakënaqësinë e tij me faktin se rezultati nuk do të shpallet menjëherë dhe u tha gazetarëve para një tubimi në Karolinën e Veriut se “nuk mendon se është e drejtë që ne duhet të presim për një periudhë të gjatë kohore pas zgjedhjeve”.

Por zoti Trump e cilësoi të rreme një artikull të publikuar në faqen në internet Axios, se ai u kishte thënë personave të rrethit të tij të ngushtë se do ta shpallte fitoren natën e zgjedhjeve edhe nëse rezultati i Kolegjit Zgjedhor do të ishte i paqartë.

Kandidati demokrat Joe Biden komentoi rreth artikullit mes ndalesave të fushatës së tij të dielën në Filadelfia. “Presidenti nuk do t’i vjedhë këto zgjedhje”, tha zoti Biden.

Në Filadelfia, zoti Biden përsëriti gjithashtu kritikat e tij ndaj përgjigjes së administratës Trump lidhur me pandeminë e koronavirusit, e cila ka shkaktuar vdekjen e rreth 231,000 personave që prej fillimit të saj dhe infektimin e më shumë se 9.2 milionëve, më shumë se në çdo vend tjetër i botës, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

“E vërteta është se për të mposhtur virusin ne duhet që së pari të mundim Donald Trumpin” tha zoti Biden. “Ai është virusi”, shtoi ai.

Zoti Trump vazhdon të thotë se situata në SHBA po shkon drejt përmirësimit për sa i takon përpjekjeve kundër COVID-19-s dhe se vaksina do të dalë së shpejti në qarkullim.

Zoti Biden e quajti Pensilvaninë “kritike” lidhur me garën e tij për president. Ai u shpreh optimist duke thënë “kur Amerika të dëgjohet, besoj se mesazhi do të jetë i qartë: është koha që Trumpi të bëjë gati valixhet e të shkojë në shtëpi”.

Sipas sondazheve kombëtare, zoti Biden vazhdon të kryesojë garën për president me rreth 8 për qind më shumë sesa zoti Trump i cili nëse humbet do të jetë i treti president në SHBA në katër dekadat e fundit që nuk rizgjidhet për një mandat të dytë.

Megjithatë zgjedhjet në SHBA nuk përcaktohen nga vota popullore në nivel kombëtar, por nga votat e Kolegjit Zgjedhor prej 538 anëtarësh. Një kandidati i duhet minimalisht 270 vota elektorale në mënyrë që shpallet fitues i garës për president.

Përveç garës presidenciale, votuesit amerikanë do të zgjedhin gjithashtu të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve prej 435 ligjvënësish, 35 anëtarët të Senatit prej 100 vendesh, 11 guvernatorë shtetesh, drejtues në nivele të ndryshme të qeverisjes lokale si dhe do të votojnë iniciativa të lidhura me referendume./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA