Universitetet, muajin e parë të hapjes do ta zhvillojnë online. Ky është vendimi i marrë këtë enjte nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, duke vlerësuar rreziqet e Covid 19. Kjo u bë e ditur nga kreu i këtij komiteti, Mira Rakacolli.
“Kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën ne dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”
Ekspertët e shëndetësisë kanë parë të arsyeshëm edhe propozimin për mbylljen e pjesshme të lokaleve në zonën e bllokut në Tiranë, pas orës 10 të mbrëmjes.
“Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.
Ndërkaq, Komiteti Teknik i Ekspertëve, bën thirrje që qytetarët të respektojnë rregullat e vendosura për të frenuar përhapjen e Covid 19 pasi dy javët e fundit kanë shënuar numra të lartë. Aktualisht në vend janë 500 vatra aktive të koronavirusit, 1/3 e tyre vetëm në Tiranë.
Top Channel