Puka do ketë së shpejti një park të madh aventurash, të ngjashëm me këtë të liqenit të Tiranës.
Një projekt ambicioz që parashikon edhe ndërtimin e lojërave të ndryshme për të gjitha grupmoshat, i përshtatur për të qenë pjesë e natyrës dhe që synon ta kthejë këtë qytet në një nga destinacionet turistike më të mëdha familjare në vend e rajon.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurat e tenderimit për këtë projekt me një fond limit që arrin vlerën e 71.3 milionë lekësh.
Parku është planifikuar të ndërtohet pranë liqenit të Pukës, ndërmjet kodër Hanit dhe Kodër Mehaj.
Ai parashikon ndërtimin e një Zipline prej 1.2 km dhe me një shpejtësi mesatare mbi 80-110 km/h, që sipas dokumenteve të tenderit do të jetë një ndër më të shpejtët dhe më të gjatët në Europë.
Ndërkaq, janë në total rreth 25 lojëra të të ndryshme të planifikuara për t’u instaluar në këtë park, duke ofruar për qytetarët e zonës dhe vizitorët e tjerë aktivitete të ndryshme sportive e rekreative, një hapësirë shumë funksionale për të gjitha kategoritë.
Ky projekt vjen si një vijimësi e atij të urbanizimit të qytetit. Elementët e ndryshëm të natyrës që do të përdoren në ndërtimin e tij do të transformojnë tërësisht qytetin e Pukës, duke i shtuar kështu vlerat e turizmit malor zonës.
13 Nëntori është edhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomikë të interesuar për të marrë pjesë në zbatimin e këtij projekti.
Paralelisht në Pukë po zbatohet edhe projekti për rikualifikimin urban të qytetit, i financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Evropës, investime që janë fokusuar te rikonstruksioni i rrugëve lidhëse të qytetit, të fasadave të objekteve të ndryshme, si dhe forcimin e mbrojtjes së liqenit të vogël.
Top Channel