“Djali im mbeti pa babain”/ Vrasja e shqiptarit në Itali, partnerja: Nuk ka njerëz që meritojnë të vdesin, jam e shkatërruar

23/09/2026 13:12

“Dëgjojmë dhe lexojmë shumë gjëra, por dua të them se nuk ekzistojnë njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Nuk ka njerëz që meritojnë të vdesin apo të tjerë ndaj të cilëve është e drejtë të qëllohet”.

Kështu është shprehur partnerja e Gjovalin Lazrit, 36-vjeçarit me origjinë shqiptare, i cili u vra gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, Itali.

Fjalët e saj janë përcjellë përmes avokates së saj, e cila më pas i ka bërë publike. Gruaja, e cila ka një fëmijë me 36-vjeçarin, ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar nga dhimbja. Dua që e gjithë e vërteta të dalë në dritë. Kërkoj vetëm që drejtësia të bëjë punën e saj”, ka deklaruar ajo.

Për vdekjen e Gjovalin Lazrit, Prokuroria italiane ka regjistruar si person nën hetim Roberto Mollo, 35 vjeç, pronari i një shtëpie në rikonstruksion, e cila ishte sulmuar nga persona që dyshohet se po kryenin vjedhje. Mollo po hetohet për veprën penale të vrasjes me dashje.

Kush ishte Gjovalin Lazri

Gjovalin Lazri, 36 vjeç, ishte me origjinë nga Shqipëria. Ai ishte zhvendosur në Itali dhe jetonte në periferi të veriut të Torinos së bashku me bashkëshorten, me të cilën kishte një djalë.

Lazri punonte si barist dhe, sipas fqinjëve dhe klientëve të lokalit ku punonte, përshkruhej si një person i qetë.

“Një familje e mirë, shumë e rezervuar. Nuk dimë shumë për ta, flasin pak, i shohim gjithmonë me fëmijën. Por nuk ka pasur kurrë probleme”, kanë treguar fqinjët pas ngjarjes.

Edhe një prej klientëve të lokalit ku punonte 36-vjeçari është shprehur i habitur nga ngjarja.

“Më vjen keq, nuk e dija që merrej me këto gjëra (vjedhje), më duket e çuditshme. Nuk e prisja”, ka thënë ai për mediat italiane.

Top Channel