Kjo ndodhi duke u kthyer me avion nga Rio për në Romë. Pas Takimit mbresëlënës Botëror të Rinisë në Copacabana në korrik 2013 Papa Françesku iu kthye gazetarëve në aeroplan dhe i pyeti: “Kush jam unë, që të gjykoj për homoseksualët?”

Tani shtatë vjet më vonë ai thotë më shumë. Në filmin e ri dokumentar “Françesku”, Papa thotë: “Homoseksualët kanë të drejtë të jetojnë në familje. Ata janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtën për një familje”. Askush nuk duhet të përjashtohet për shkak të orientimit të tij seksual.

Martesë homoseksuale, jo falemnderit

Askush? As priftërinjtë katolikë dhe as besimtarët? Një gjë është e sigurtë: marrëdhënia e kishës katolike me homoseksualitetin është e karakterizuar nga kontradikta dhe një moral i dyfishtë.

Estland Tallinn Symbolbild männliches Paar (Lev Dolgachov/Zoonar/dpa/picture-alliance)

Sepse i njëjti Françesk, i cili mbron partneritetin e ligjshëm për homoseksualët, refuzon martesën homoseksuale. Dhe i njëjti Françesk, që kritikon përjashtimin për shkak të orientimit seksual, u mohon priftërinjve homoseksualë të drejtën për një vend në seminar.

Gjithsesi, në kontradiktat e tij Papa i ka mbetur besnik vetvetes. Që kur ishte kryepeshkop i Buenos Airesit (1998 deri 2013), ai u angazhua për mbrojtjen me ligj të partneritetit për homoseksualët. Sidoqoftë në radhë të parë për të parandaluar një barazi më të zgjeruar, si martesën homoseksuale.

Strategjia dështoi: Më 5 maj 2010 parlamenti argjentinas aprovoi lejimin të martesave të të njëjtës gjini në nivel kombëtar. Shumë vende të tjera ndoqën shembullin e saj, Gjermania më 1 tetor 2017.

Pa vend në seminarin e priftërinjve

Në dallim me barazinë juridike, homoseksualiteti është dhe mbetet një tabu brenda kishës katolike. Në mars 2015 ishte Françesku, që largoi një prift polak në Vatikan, pasi ai shpalli në mënyrë spektakolare orientimin e tij seksual.

Në librin me intervista “Forca e vokacionit” botuar në 2018 nga misionari spanjoll i urdhërit Zemra e Marisë, Fernando Prado, Papa bën të qartë: “Në jetën e shenjtë dhe meshtare nuk ka vend për këtë lloj dashurie. Njerëzit me prirje të tilla nuk duhet të pranohen në urdhërat fetarë dhe seminaret e priftërinjve.”

Në pritje të bekimit para altarit

Edhe homoseksualët laikë përjashtohen në kishën katolike. Komiteti Qendror i Katolikëve, që përfaqëson katolikët laikë në Gjermani, kërkon prej vitesh që çiftet e së njëjtës gjini “të mos privohen nga efekti i fuqishëm i ritualeve të bekimit”.

“Ne jemi të përkushtuar që në një të ardhme të afërt të kemi një rit zyrtar për bekimin e çifteve homoseksuale”, është kërkesa zyrtare e ZdK. Ndoshta shpresa nuk është e pabazuar.

Prifti nga Mannheim-i Theo Hipp sheh në nismën e re të Papa Françeskut së paku një tentativë tjetër për të ringjallur debatin e vështirë për homoseksualitetin në kishë. Ai është i bindur se “Françesku do të shkruante në regjistrin e çdo prifti, se duhet të angazhohet për një jetë në dinjitet dhe për siguri ligjore të homoseksualëve”. Ky qëndrim do të ketë ndikim kishtar dhe politik.

Kisha botërore konservatore

Hipp duhet ta dijë, sepse ai përgatit për punën e përditsme në famullinë e tyre priftërinjtë e shumtë nga Polonia, Brazili, India, Tanzania dhe vendet e tjera, të cilët vijnë në Gjermani për shkak të mungesës së priftërinjve në kishën katolike.

Pothuajse gjysma e 1.3 miliard katolikëve në botë jetojnë në kontinentin amerikan, veçanërisht në Amerikën Latine. Në Evropë rreth 20 përqind e popullsisë deklarohen katolikë. Por ndërsa numri i katolikëve në Evropë është në rënie të vazhdueshme, Azia dhe Afrika, sipas shërbimit të shtypit të Vatikanit Fides, shënojnë ritme të forta rritjeje. Në Afrikë përqindja tani është rreth 18 përqind.

“Katolikët Afrikanë hidhërohen shumë”

Por pikërisht në rajonet me rritje deklaratat e fundit të Françeskut mund të shkaktojnë gjithçka, por jo entuziazëm. “Katolikët afrikanë apo të krishterët në Lindjen e Mesme hidhen përpjetë, kur u thuhet se partneritetet e gjinisë së njëjtë duhet të barazohen me martesën”, thotë prifti Hipp. Ai e di se “kur bëhet fjalë për ndryshime në kishën botërore, ata ulen me Papën në tryezë”.

Megjithë kundërshtimin rigoroz të dogmatikëve në Vatikan dhe personaliteteve konservatore sidomos në Azi dhe Afrikë, Hipp e konsideron të domosdoshëm debatin e mëtejshëm të kishës për temën e homoseksualitetit.

Bundesvorsitzender der LSU Alexander Vogt (Christian Thiel/lmago Images)

Lëndime të thella

“Kjo do të çojë në një proces sqarimi, që do t’ua bëjë të qartë disave se ne në kishë po prodhojmë vërtet gjëra jo njerëzore me dogmatikën tonë,” thotë ai. “Është mirë, që nuk kemi fuqi politike”.

Katoliku Alexander Vogt mund t’i dëshmojë këto lëndime të thella. “Ne jemi gëzuar, por edhe kemi pritur shumë gjatë për këto fjalë”, tha kryetari i grupit të përfaqësimit të interesave të lezbikeve dhe homoseksualëve në partitë e Unionit CDU dhe CSU (LSU) në një intervistë me DW.

“Unë pres që Papa të na shprehë disa fjalë keqardhjeje. Sepse mësimet e kishës katolike në të kaluarën kanë shkaktuar shumë vuajtje dhe dhimbje në mesin e besimtarëve homoseksualë.”/DW/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA