E rëndë në Selanik, 26-vjeçari shqiptar gjendet pa jetë, në trup ka plagë me armë zjarri
Në historinë 75 vjeçare të Kombeve të Bashkuara, asnjëherë nuk është shfaqur më qartë domosdoshmëria për solidaritet global dhe bashkëpunim ndërkombëtar ashtu siç po shfaqet sot, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut theksoi para Këshillit të Sigurimit.
“Për vendet si Kosova – që ende vuan nga pasojat e konfliktit të armatosur – bashkëpunimi, unifikimi i zërit dhe vizionit politik; dialogu dhe shmangia e polarizimit të tepërt, duhet të jenë prioritetet e nivelit më të lartë” PSSP Zahir Tanin nënvizoi sot gjatë raportimit të tij të rregullt mbi Kosovën.
Gjatë shtatë muajve të shkuar Kosova ka kaluar nëpër sfida të shumëfishta e të gërshetuara, të shkaktuara nga pandemia aktuale globale, theksoi ai. Pasojat e rënda socio-ekonomike të COVID-19 kanë ndikuar negativisht në ekonomi, e veçanërisht tek brezat më të ri, femrat dhe bashkësitë e cenueshme – gjersa pasojat arsimore e psikologjike tashmë ndjehen.
Megjithatë, PSSP Tanin përgëzoi sistemin e kujdesit shëndetësor dhe veçanërisht punëtorët shëndetësorë të vijës së parë për “[punën] heroike për të shfrytëzuar më së miri resurset e kufizuara”.
“Ne në UNMIK, së bashku me Ekipin e agjencive, fondeve dhe programeve të OKB-së në Kosovë, dukshëm kemi përshtatur aktivitetet tona për të ndihmuar në tejkalimin e sfidave të papara deri më tani, të dala nga pandemia COVID-19. Përqendrimi ynë ishte në shfrytëzimin e resurseve për t’i ndihmuar drejtpërdrejtë njerëzve, institucioneve dhe komuniteteve,” theksoi ai.Solidariteti, veçanërisht përgjatë pandemisë, duhet të fokusohet në gjetjen e ekuilibrit në mes të shëndetit publik, rimëkëmbjes ekonomike, dhe të drejtave të njeriut; “që aktualisht paraqet enigmën më të madhe për qeveritë e mbarë botës”.
PSSP Tanin gjithashtu informoi Këshillin mbi zhvillimin e proceseve hetimore dhe gjyqësore të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe të Dhomave të Specializuara, duke i përshkruar ato si “pjesë përbërëse të sistemit gjyqësor të Kosovës me mandate thelbësore për aspiratat e sundimit të ligjit në Kosovë”.
Ai u bëri thirrje liderëve të dyfishojnë përpjekjet për të kundërshtuar keqinformimin, dhe të sigurohen se procedurat para Prokurorisë dhe Dhomave të gëzojnë përkrahjen e palëkundur institucionale dhe politike, që është thelbësore për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë.
PSSP Tanin përgëzoi Prishtinën dhe Beogradin dhe përpjekjet përkatëse të BE-së dhe qeverisë së SHBA-së për përparim të procesit negociues.
“Takimet e fundit në Bruksel dhe Uashington dëshmojnë potencialin për përparim kur resurset ndërkombëtare kombinohen me lidership në terren për t’i çuar përpara çështjet e vështira.”Uniteti politik, përkushtimi i fuqishëm dhe vullneti i mirë nga ana e liderëve në Prishtinë e Beograd ishin parakushte për suksesin e negociatave, shtoi ai duke shprehur optimizëm se të dy palët do të tejkalojnë çështjet e kontestuara dhe gjejnë një zgjidhje të përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.Duke vlerësuar edhe një përvjetor të rëndësishëm, PSSP Tanin theksoi se ky vit shënon 20 vjetorin e adoptimit të Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Rëndësia e pjesëmarrjes domethënëse të grave në proceset paqësore në të gjitha nivelet, posaçërisht në dialogun aktual mes Beogradit dhe Prishtinës, është “thelbësore në arritjen e rezultateve që u përgjigjen nevojave reale të njerëzve,” theksoi ai.Në përmbyllje të fjalës së tij, PSSP Tanin ritheksoi përkushtimin e plotë të UNMIK-ut në përkrahje të dialogut të mbështetur nga BE-ja dhe të përpjekjeve të liderëve të të dyja palëve për të ecur me vendosmëri drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe paqes e pajtimit afatgjatë.Lexo deklaratën e plotë të PSSP Tanin në shqip këtu.Lexo raportin e Sekretarit të Përgjithshëm në shqip këtu.
Top Channel