Dybala “qershia mbi tortë”, Chelsea përgatit ofertën e bujshme për ta marrë në janar

16/10/2020 10:49

Drejtuesit e Juventusit po punojnë prej muajsh për rinovimin e kontratës së sulmuesit argjentinas Paulo Dybala, por deri tani nuk ka pasur “tym të bardhë”, pasi pretendimet e numrit 10 bardhezi janë ndjeshëm më të larta se oferta e Juves.

Menaxherët e Dybalës e kanë bërë të qartë se duan një pagë prej 15 milionë eurosh në sezon për të hedhur firmën mbi kontratën e re, ndërsa te Juventus nuk kanë ndërmend të shkojnë përtej 10 milionë eurove në sezon.

Pikërisht për këtë arsye, për sulmuesin argjentinas janë vënë në lëvizje disa klube angleze si Manchester United, Tottenham e veçanërisht Chelsea, që është gati ta transferojë “La Yoja”-n në Londër që në muajin janar.

Pasi bënë një fushatë blerjesh të jashtëzakonshme këtë sezon merkatoje, Abramovich e Lampard shikojnë Dybalën si “qershinë mbi tortë” për të krijuar një skuadër të denjë të konkurrojë si në Angli ashtu edhe në Europë.

Momentalisht mediat italiane raportojnë se drejtuesit e Chelseat kanë nisur negociatat me menaxherët e Dybalës dhe në rast të një akordi do të paraqiten në Torino me 80 milionë euro, për të marrë argjentinasin në Londër që në muajin janar.

Ndërkohë vlen të theksohet se me afrimin e Chiesës e Kulusevskit, drejtuesit e Juves nuk e shohin si të pashitshëm Dybalën, pasi janë të mbuluar si në rastin e një skeme 3-5-2, ashtu edhe të rreshtimit 4-3-3, mbi të cilat Pirlo po ndërton skuadrën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA