Inteligjenca britanike i ka paguar një shumë dëmshpërblimi një njeriu që në moshën 26 vjeçare mësoi se babai i tij Bob Lambert, nuk ishte një aktivist të drejtash, por një agjent i infiltruar që spiunonte të ëmën dhe aktivistë të tjerë anti-qeveritarë.
Shërbimet britanike të sigurisë Scotland Yard kanë kërkuar falje dhe dëmshpërblyer një njeri që ka si baba një agjent të infiltruar, i cili krijoi një lidhje intime me nënën e tij në vitet 1980-të për të spiunuar ndaj aktivistëve politikë.
Personi që e braktisi të birin në moshën dy-vjeçare ishte në fakt Bob Lambert, një agjent policie i kthyer në një “anarkist” me flokë të gjatë me emrin Bob Robinson, i cili kur përfundoi misionin e tij u zhduk nga jeta e të dashurës dhe fëmijës së tij.
Lambert është një nga rastet më të kontestuara të infiltrimit të agjentëve në grupet politike, që janë demaskuar nga e përditshmja britanike “Guardian” vitet e fundit.
Të paktën dy agjentë të tjerë policie në Britani kanë lindur fëmijë me aktivistet që kanë njohur gjatë infiltrimeve.
Oficerët e infiltruar merrnin identitete fëmijësh të vdekur për t’u bërë sa më të besueshëm.
Tashmë 35 vjeçar, të birit të Lambert i është dhënë e drejta e anonimitetit duke iu referuar vetëm si TBS në dokumentet zyrtare.
Lambert u demaskua në vitin 2011 pas investigimeve të mediat për personat të cilët kishte infiltruar. Në vitin 2012, TBS dhe nëna e tij e njohur si Jacqui, zbuluan identitetin e vërtetë të Lambert pas disa artikujsh në media.
Deri atëherë ata nuk kishin tentuar të kontaktonin me të, që prej zhdukjes nga jeta e tyre në 1988.
Pas ngritjes së padisë nga Jacqui, policia e Londrës e dëmshpërbleu me 500 000 euro. Ajo ka treguar në detaje se ka menduar vetëvrasjen dhe ka marrë trajtim psikiatrik kur mësoi se është gënjyer nga një operacion policie, që mblidhte informacione mbi aktivistët politikë britanikë.
Autoritetet kanë zgjidhur pretendimet me TBS dhe nënën e tij, pa publikuar dokumente zyrtare që hidhnin dritë mbi aktivitetet e tjera të Lambert. TBS tha për “Guardian” se autoritetet përpiqeshin të fshehnin sa më shumë të mundnin.
Roli i infiltrimit të Lambert nisi në 1984, kur u afrua me grupet e majta të të rinjve, duke marrë identitetin e një djali 7-vjeçar që kishte vdekur nga një defekt në zemër në 1959.
Kjo ishte një praktikë standarde e njësisë së spiunazhit të Lambert që prej dekadash spiunonte ndaj aktivistëve politikë.
Për të fituar më shumë kredibilitet mes tyre Lambert krijoi dhe marrëdhënie romatike, një prej të cilave ishte ajo me Jacqui, e cila asokohe ishte një aktiviste 22-vjeçare e të drejtave të kafshëve
Lambert ndenji pranë saj gjatë 14 orëve që iu nevojitën për të lindur TBS në 1985. Jacqui thotë se Lambert asokohe dukej se adhuronte të birin dhe ishte një baba i devotshëm.
Por në 1988, duke tentuar të justifikonte zhdukjen e tij Lambert i tha Jacqui e të tjerëve se policia po përpiqej ta arrestonte dhe deklaroi se po arratisej në Spanjë.
Por në fakt ai punonte për Degën Speciale të policisë së Londrës që ka vazhduar me operacionet sekrete deri në vitet 1990. (Guardian)
Top Channel