Oficeri i policisë qëllon për vdekje gruan e tij në Tajlandë, 48-vjeçarja ekzekutohet brenda ambienteve të kopshtit ku punonte
Norvegjia i ka dhënë sot lamtumirën e fundit Mbretit Harald V, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, pas 35 vitesh në fron.
Ceremonia mortore po zhvillohet në Oslo, ku prej orëve të mëngjesit qytetarë të shumtë janë mbledhur pranë Katedrales së Oslos për të nderuar monarkun e ndjerë.
Arkivoli është shoqëruar në një procesion rreth 1.5 kilometra, nga Pallati Mbretëror drejt Katedrales. Pas ceremonisë, ai do të dërgohet në Kalanë e Akershus, ku do të zhvillohet një ceremoni private dhe varrimi në Mauzoleun Mbretëror.

Në funeral marrin pjesë përfaqësues të familjeve mbretërore europiane dhe delegacione shtetërore. Mes tyre janë Princi i Uellsit, William, Princesha Anne, Mbreti Frederik X dhe Mbretëresha Mary e Danimarkës, si dhe Mbreti Carl XVI Gustaf dhe Mbretëresha Silvia e Suedisë.

Nga Holanda marrin pjesë Mbreti Willem-Alexander, Mbretëresha Maxima, Princesha Amalia dhe ish-Mbretëresha Beatrix. Në ceremoni merr pjesë gjithashtu Pavlos De Gres, ndërsa Greqia përfaqësohet nga Presidenti Konstantinos Tasoulas. Të pranishëm janë edhe përfaqësues nga Shqipëria, Gjermania, Lituania, Moldavia, Estonia, Kanadaja, Sllovenia, Republika Çeke, Letonia, Finlanda, Islanda, Gjeorgjia, Polonia, Irlanda dhe Hungaria.

Homazhi i Mbretit të ri
Një ditë pas vdekjes së Harald V, djali i tij, Mbreti i ri Haakon VIII, i bëri homazhe të atit, duke e përshkruar si një baba të mirë, gjysh të dashur dhe bashkëshort të kujdesshëm për Mbretëreshën Sonja.
Harald V dhe Mbretëresha Sonja do të festonin 58-vjetorin e martesës vetëm një ditë pas ndarjes së tij nga jeta.
Mbreti i ri tha se i ati kishte mbetur gjithmonë besnik ndaj vlerave dhe angazhimeve të tij dhe se kishte qenë një figurë e rëndësishme për familjen dhe vendin.
Funerali në Oslo do të pasohet nga ceremonia private e varrimit në Mauzoleun Mbretëror të Kalasë Akershus.
Top Channel