Tirana, e shtrenjtë për një shtëpi/ Një familjeje i duhet rreth 15 vjet për të blerë një apartament në kryeqytet

01/10/2020 20:36

Tirana po bëhet gjithnjë e më pak e përballueshme për shkak të çmimeve të qirave dhe blerjes së apartamenteve kryesisht, pasi rezultojnë më të lartat në rajon.

Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e fundit të Indeksit të çmimit të Pasurive të paluajtshme për vitin 2020, që e rendit Shqipërinë të tretën në Europë si më e shtrenjta për të blerë një pronë, pas Serbisë dhe Republikës Çeke.

Kështu, me një indeks prej 14.8 rezulton se një familjeje shqiptare i duhet rreth 15 vjet për të blerë një apartament në kryeqytet.

Por, ekspertët e pasurive të paluajtshme shpjegojnë se kjo mund të zgjasë edhe më shumë vite, për shkak të rritjes së lartë të çmimeve dhe të ardhurave të pakta të shqiptarëve.

“15 vjet në mendimin tim janë pak pasi unë mendoj se duhen më shumë se kaq. Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë më të shtrenjta në rajon”, tha Lefter Sila.

Por, teksa një familje shqiptare nuk mund të kursejë më shumë se 2000 euro në vit, çmimet e apartamenteve shpesh rezultojnë edhe më të larta se kjo shifër për metër katror, duke e bërë të pamundur blerjen e tyre nga një familje me të ardhura mesatare.

Përveç bllokut, pjesa jugore e Tiranës ka marrë një hov të madh zhvillimi, veçanërisht ajo pranë liqenit ku kapërcen mbi 2 mijë euro metri katror.”, tha Ilda Baraj.

Çmimet e apartamenteve në qendër të kryeqytetit janë rritur frikshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave të Collier International ato mund të arrijnë deri në 4000 euro për metër katror. Por, kush janë blerësit e këtyre apartamenteve?

“Blerësit e tyre sigurisht janë më të paktë në numër. Mund të jenë biznesmenë, individë me të ardhura shumë të larta apo pse jo edhe emigrantë që duan të investojnë të ardhurat e tyre duke blerë një pronë.”, tha Ilda Baraj.

Top Channel