U përjashtua nga turneu, Verdasco padit Roland Garrosin

30/09/2020 17:01

Fernando Verdasco do të padisë organizatorët e turneut Grand Slam, Roland Garros. Tenisti spanjoll, nr.59 i renditjes botërore e ndërmerr këtë hap, pasi organizatorët e eventit nuk e lejuan të marrë pjesë në edicionin e këtij viti për shkak se në një test me tampon ai rezultoi pozitiv, edhe pse në prag të evenimentit tenisti paraqiti disa teste ku ai kishte rezultuar negativ

Verdasco, tashmë 36 vjeç në një intervistë për “Cadena Ser” bëri të ditur se do të padisë Roland Garros për dëme personale dhe profesionale duke shtuar se askush nuk mund të besojë se organizatorët e një turneu të tillë të jenë në gjendje të bëjë diçka të tillë.

‘Nuk është më çështje parash, është një dëm që të plagos personalisht dhe profesionalisht. Nuk e di nëse do të luaj më këtë vit sepse kjo të heq dëshirën për gjithçka. Bëjnë çfarë duan pa asnjë lloj koherence dhe respekti. Të drejtat e lojtarëve nuk vlejnë asgjë”, tha Verdasco.

Verdasco që e kaloi Covid-19 në muajin gusht pa pasur simptoma e  denoncoi situatën e krijuar të premten e kaluar në prag të turneut. Për madrilenin, vendimi i Roland Garros është frustrues dhe i tepruar pasi atij iu mohua e drejta për të marrë pjesë në turne pa iu dhënë mundësuia që të kryejë një tjetër test që të konfirmonte se rezultati i mëhershëm pozitiv ishte një gabim.

Ndërkaq, turneu Roland Garros i këtij viti humbet një emër të rëndësishëm. Serena Williams u tërhoq nga turneu për shkak të një dëmtimi në tendinën e Akilit. Tenistja amerikane tashmë 39 vjeçare, këtë të mërkurë do të luante në raundin e dytë ndaj bullgares Pironkova teksa synonte që në Paris të fitonte titullin e 24 Grand Slam për të barazuar rekordin e Margaret Court, por kjo mesa duket do të mbetet një mallkim për tenisten e madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA