Spanja ka regjistruar një rritje të borxhit publik në 110,1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë, niveli më i lartë në 20 vjet, në sfondin e shpenzimeve të mëdha publike të bëra për shkak të pandemisë së COVID-19, sipas të dhënave të publikuara sot nga Banka Qendrore.
Në tremujorin e parë, borxhi publik përbënte 98,9% të PBB-së.
Në vlerë absolute, borxhi ka arritur gjithashtu nivelin më të lartë që prej vitit 2000, në 1 291 miliardë euro nga 1 224 miliardë euro në fund të marsit, raporton ATSh.
Që prej muajit maj, qeveria kishte pranuar se menaxhimi i pandemisë do të kishte një efekt shkatërrues në llogaritë publike duke marrë parasysh një rënie të të ardhurave si pasojë e krizës ekonomike të shkaktuar nga kufizimi dhe një rritjeje të ndjeshme të shpenzimeve.
Madridi parashikon që borxhi do të arrijë në 115,5% të PBB-së në fund të 2020, ndërkohë që deficiti publik do të rritet me 10,3% të PBB-së në fund të vitit, deficiti më i lartë që prej 2012, mes krizës financiare.
Deficiti buxhetor ka arritur tashmë në 6,12% të PBB-së në fund të qershorit.
Qeveria e socialistit Pedro Sanchez financoi veçanërisht papunësinë e pjesshme të miliona punonjësve dhe miratoi masa ndihme për kompanitë, ndërsa ekonomia e vendit pësoi një rënie të ndjeshme nën efektin e kufizimit të rreptë të vendosur në mes të marsit.
Top Channel