Nga Chelsea te Arsenal, Liverpool mposht një tjetër skuadër londineze dhe fluturon në krye me pikë të plota. “The reds” triumfuan me rezultatin 3-1 me përmbysje ndaj “topçinjve” në një ndeshje të dominuar totalisht dhe morën fitoren e tretë në po kaq ndeshje.

Sfida nisi mjaft mirë për Liverpool, që mori menjëherë kontrollin e lojës dhe arriti të shkojë disa herë rrezikshëm në zonën e portës së mbrojtur nga gjermani Leno, por avantazhin fillimisht e gjeti Arsenal.

Pas një kundërsulmi të shpejtë të “topçinjve”, mbrojtësi Robertson ktheu gabimisht një top drejt portierit, duke ia dhuruar francezit Lacazette, i cili gjuajti me një kthesë të menjëhershme dhe dërgoi sferën në rrjetë, teksa kishin kaluar vetëm 25 minuta nga starti i takimit. Reagimi i “the reds” ishte i menjëhershëm, pasi vetëm tre minuta më vonë, Muhamed Salah bëri gjithçka mirë nga krahu dhe hyri në zonë e gjuajti drejt portës, aty ku Leno grushtoi, por topi shkoi në këmbët e Mane, që me portën e boshatisur e pati të lehtë të rikthejë baraspeshën.

Në minutën e 34-t, pas një krosimi të ardhur nga Alexander-Arnold, mbrojtësi Robertson mori bukur topin brenda zonës dhe me një qetësi për t’u admiruar, arriti të mposhtë për herë të dytë portierin Leno, duke shlyer gabimin e bërë më herët dhe duke i dhënë avantazhin Liverpoolit. Pjesa e dytë ishte gjithashtu me ritëm mjaft të lartë dhe raste të shumta për të dy skuadrat, ndërsa rezultatin e sfidës e vendosi blerja më e re e Liverpoolit, Diogo Jota, i cili debutoi me një gol të shënuar në minutën e 88′.

Kështu “the reds” konfirmohen sërish si pretendentja kryesore pēr titullin kampion, pasi ka marrë pikët e plota në 3 javët e para, ndonëse shorti nuk ka qenë bujar pasi e ka vendosur përballë skuadrave si Chelsea e Arsenal

Top Channel