Avdullah Hoti i është rikthyer temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duke përsëritur se nga Prishtina zyrtare, kjo çështje konsiderohet tashmë e mbyllur.
“Ajo temë nuk hapet, sepse është vulosur me marrëveshjen e vitit 2013 midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe pastaj është marrëveshja e parimeve e vitit 2015”, tha Hoti.
Sot duhet të mbahej në Bruksel raundi I ri i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh, por u shty sipas zyrtarëve europianë për shkak të situatës së koronavirusit. Kosovë nuk dëshiron ti rikthehet çështjes së Aosiciacionit, por Serbia këmbëngul të flitet për të.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.
Krijimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Top Channel