Rindërtimi i banesave individuale të qytetarëve që humbën shtëpitë në tërmetin e 26 Nëntorit po vijon me ritme të avancuara edhe në zonën e Kasharit, në kryeqytet.
Dy shtëpi të reja, ajo e zotit z. Selman Aluku me 9 anëtarë, si dhe shtëpia private e z. Myrteza Hyka, me 3 anëtarë janë tashmë në fazën finale të rindërtimit dhe brenda dy javësh këto familje do të marrin në dorë çelësat. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputeten Blerina Gjylameti panë nga afër punimet për ngritjen e dy prej 53 shtëpive të projektuara për rindërtim në total në këtë njësi administrative. Kryebashkiaku u shpreh i kënaqur, jo vetëm me shpejtësinë me të cilën kanë punuar grupet e punës, por edhe me cilësinë dhe standardet e përdorura.
“Po bëhet një shtëpi disa herë më e mirë se ajo që ishte dhe me shumë gjasë do jetojë shumë më gjatë se shtëpia e vjetër. Ju jam shumë mirënjohës! E vlerësoj jashtë mase. E di që ka çuna të tjerë që i zë kur prekin lopatën me dorë dhe mendojnë që çdo gjë bëhet në kafe, por di t’ju them që asnjë nuk duhet të ketë turp nga puna. Kur të kthejmë kokën pas, do themi ishim pjesë e asaj skuadre që i bëri njerëzit me shtëpi, e asaj skuadre që iu gjend njerëzve në ditën e fatkeqësisë, pjesë e atij ekipi që i dha dum një gjëje që ka ndodhur rrallë, siç ishin dy tërmete një pas një, një herë në 100 vjet ndodhin gjëra të tilla, plus edhe pandemia,” u shpreh Veliaj.
Edhe e zonja e shtëpisë, nënë Sudja, u shpreh falënderuese për të gjithë mbështetjen e pakursyer, që kur ndodhi tragjedia deri më tani që po ngrihet shtëpia. “Neve si komunë e Kasharit na janë gjendur pranë, me çadra e me të gjitha dhe tani po bëhet shtëpia ime. Kur kam parë fadromën, kam marr frymë tamam, e besova dhe jam e plotësuar. E mbajtën fjalën, si kryetari, si deputetja,” deklaroi zonja Hyka, e cila iu bëri thirrje të gjithë atyre që kanë pësuar të njëjtën fatkeqësi të mos bien pre e mashtrimeve.
Kryebashkiaku tha se në shumicë absolute qytetarët janë mirënjohës dhe e vlerësojnë punën kolosale që po bëhet me rindërtimin, por siç u shpreh ai ka edhe prej atyre që po përdoren nga opozita, edhe pse kanë kaluar nj prej fatkeqësive më të rënda, siç është tërmeti.
“Ka disa njerëz që thonë që, për punë partie, hajde po e them llafin e keq! Di t’ju them që nuk kemi lënë njeri pa qira, pa strehim, edhe në Kombinat, sigurisht që, kur bëhet një pallat i lartë, procedura është pak më e komplikuar se do vesh në kate njerëz të ndryshëm, ca kanë qenë në kat të dytë do shkojnë në kat të katërt, duhet marrë leja e tokës, shkon toka në vend tjetër se do kalosh rrugën, ndaj procedura është pak më e gjatë. Them që 99% e njerëzve janë drejt, janë solidarë, janë mbështetës. Ekziston një 1% që thotë ‘kap ça të kapësh’, “derisa i kapa 10 muaj qira, po më vijnë edhe këta të partisë, do kap ndonjë gjë për ata’, por mos bëni aleancë me hile! Dikush që ka marrë lekët në Kombinat nuk mund të thotë ‘kap ça të kapësh’, se është një mentalitet që e ka degjeneruar Tiranën. Tirana që kishim deri para pak vitesh ishte ‘kap ça të kapësh’. Kap edhe gjumin, kap edhe gjërat e tjera! Për të gjitha këto arsye, dua t’i garantoj qytetarët, do i marrin qiratë deri ditën që do marrin çelësin në dorë, në atë moment pastaj sigurisht do ndërpritet qiraja se do hysh tek shtëpia e re,” shpjegoi Veliaj.
Nga ana tjetër ai siguroi se ashtu siç asnjë familje e dëmtuar nuk do të mbetet pa shtëpi, nuk do të tolerohen abuzimet me bonuset e qerave. “Spekulimet nuk do i lejojmë, një se na vret Zoti kur sheh që dikush vetëm prej faktit që njeh një politikan e merr dy here, apo tre herë; e dyta, se na shajnë njerëzit, se njerëzit me të drejtë thonë: “o vëlla, këto janë nga paratë e taksave të mia. Pse njëri që del me një ish-deputet ose ish-politikan në televizor duhet të marrë dy-tre here nga lekët e mia?’ Për të gjithë këto arsye, me qenë të drejtë edhe para shtetit edhe para ligjit edhe para Zotit edhe para njerëzve ne do ruajmë çdo dokument. Çdo njeri do marrë qiranë derisa të marrë çelësin. Kur të marrë çelësin do i ndërpritet qiraja, që ne të kemi mundësi të bëjmë edhe punë të tjera,” deklaroi Veliaj, duke shtuar se javën e ardhshme do të kalojnë edhe projektet e mbetura, çka i hap rrugë nisjes së punës në terren për secilën shtëpi.
“Ne kalojmë të hënën lotin e mbetur të shtëpive, janë hapur edhe kantieret e tjera dhe në finale t’i japim gaz, ndoshta shtojmë pak brigadat e çunave, që pastaj, Viti i Ri të gjejë sa më shumë familje brenda dhe këto llafe që themi, jo vetëm t’i mbajmë por t’i mbajmë edhe me cilësi, se mund t’i mbash edhe duke larë gojën,” tha kryebashkiaku.
Deputetja Gjylameti nga ana e saj tha se me projektin e Rindërtimit i është dhënë tashmë zgjidhje të gjithë banorëve të Kasharit që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti vitin e kaluar. “Me kalimin në Këshillin Bashkiak të 250 shtëpive të tjera, ne i japim zgjidhje të gjithë banorëve të Kasharit për shtëpitë e tyre. Duhet patur besim edhe durim, se ajo që kemi parë është që, qoftë nga Bashkia, qoftë nga Emergjencat Civile dhe qeveria, mbështetjen që iu kemi dhënë banorëve e kemi patur shumë të madhe. Jam shumë e lumtur se ndryshe nga ajo çfarë ka ndodhur ndër vite, – më shumë premtime, por jo zgjidhje, – ndryshe nga ajo që përdor opozita, – gjuhën e baltës, gjuhën e urrejtjes, – ne kemi zgjedhur gjuhën e punës. Punë konkrete, se në fund për ne rëndësi ka t’iu gjendemi njerëzve, ” deklaroi Gjylameti.
Tipologjitë e shtëpive që po ndërtohen ofrojnë komoditet optimal jetese për banorët, ndërkohë që sigurojnë jetëgjatësi të ndërtesës dhe mundësi mirëmbajtje me kosto të ulët.
Top Channel