Zjarrfikësit vazhdojnë betejën me flakët në perëndimin amerikan

17/09/2020 21:31

Ekipe zjarrfikësish nga tre shtetet e perëndimit amerikan vazhdojnë betejën me zjarret e rrezikshme që kanë krijuar një re tymi, e cila vazhdon të përhapet në kontinent dhe është shfaqur në qiejt mbi kreyqytetin e Uashingtonit dhe në Nju Jork në bregun lindor, madje shkencëtarët thonë se ka zbritur edhe në Meksikë dhe ka përshkuar oqeanin deri në Evropë.

Zjarret e furishme, të ushqyera nga javë të tëra thatësire dhe moti me erë, kanë shkatërruar 1.8 milionë hektarë në shtetet Oregon, Uashington dhe Kaliforni. Deri tani janë regjistruar 31 viktima nga zjarret në këto tre shtete.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se tymi i shkaktuar nga flakët ka krijuar “ajër të rrezikshëm” dhe “shumë të pashëndetshëm” në shtetin e Oregonit. Në disa zona, është kufizuar shikueshmëria deri në 400-500 metra, sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, duke e bërë të vështirë lëvizjen me makinë.

Parashikimet e motit paralajmërojnë për stuhi të enjten dhe të premten në Oregon, gjë që mund të ndihmojë në shuarjen e disa vatrave të zjarrit dhe pastrimin e ajrit nga smogu dhe tymi që ka mbuluar këtë shtet.

Në Kaliforni zjarret kanë shkaktuar 25 viktima, kanë shkatërruar 4,200 banesa dhe ndërtesa të tjera dhe kanë djegur afro 1.2 milionë hektarë, sipërfaqja më e madhe e shkatërruar nga zjarret brenda një viti.

Ekipet zjarrfikëse në Los Anxhelos arritën të vënë nën kontroll flakët pranë Observatorit të njohur Mount Wilson, pasi zjarri mbërriti 150m larg ndërtesës, njofton Shërbimi Kombëtar i Pyjeve. VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA