Kombet e Bashkuara kërkojnë hetim të pavarur për rastin Navalny

08/09/2020 13:13

Zyrtarja e lartë për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, i bëri thirrje Rusisë të kryejë ose të bashkëpunojë në një “hetim të plotë, transparent, të pavarur dhe të paanshëm” lidhur me helmimin e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny.

Bachelet theksoi nevojën për të hetuar deri në fund këtë rast, pasi ekspertët gjermanë thanë se ata kishin “provë të qartë” se agjenti nervor i kategorisë ushtarake Noviçok ishte përdorur për të helmuar Navalnyn.

“Është detyrë e autoriteteve ruse të hetojnë plotësisht se kush ishte përgjegjës për këtë krim shumë të rëndë që u krye në tokën ruse”, tha ajo në një deklaratë.

Aktivisti 44-vjeçar anti-korrupsion dhe një nga kritikët më të ashpër të presidentit, Vladimir Putin, u sëmur gjatë një fluturimi muajin e kaluar dhe u trajtua në një spital në Siberi para se të evakuohej në Berlin.

Sulmi shënoi rastin më të fundit në një varg të gjatë atentatesh kundër kritikëve të Putinit.

Bachelet theksoi të martën se “numri i rasteve të helmimit, ose formave të tjera të vrasjes, qoftë brenda vetë Rusisë ose në tokë të huaj, gjatë dy dekadave të fundit është thellësisht shqetësuese.”

“Dështimi në shumë raste për t’i mbajtur autorët përgjegjës dhe për të siguruar drejtësi për viktimat ose familjet e tyre, është gjithashtu për keqardhje dhe e vështirë për t’u shpjeguar ose justifikuar,” tha ajo, raporton AFP.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA