Një baba dhe tre fëmijët e tij janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e tyre familjare, nga daja i fëmijëve, që më pas qëlloi drejt vetes në fundjavë në një qytezë pranë Torontos në Kanada.
48 vjeçari Mitchell Lapa ka vrarë Chris Traynor, 50 vjeç, dhe tre fëmijët e tij me moshë 11, 15 e 20 vjeç, kur erdhi i paftuar në shtëpinë e tyre në Oshawa, 60km në lindje të Torontos.
Bradley Traynor, 20 vjeç, Adelaide Traynor, 15 vjeçe, dhe Joseph Traynor 11, vdiqën të gjithë në masakrën e të premtes, ku u plagos gjithashtu nëna 50-vjeçare e familjes Loretta.
Lapa u identifikua më vonë si daja i fëmijëve dhe gjithashtu vdiq nga një plagë plumbi që e kishte shkaktuar vetë.
“Hetuesit kërkojnë të flasin me këdo që e njihte sulmuesin Mitchell Lapa, pasi kërkojnë të kuptojnë më thellë motivimin për këtë masakër,” tha policia e Durham.
Ngushëllimet erdhën gjerësisht për familjen Traynor në rrjetet sociale ku anëtarët e saj përshkruheshin si bujarë e të kujdesur, si dhe të përfshirë në komunitetin vendor të sporteve.
Fqinjët e shtangur nga tragjedia i përshkruanin ata si të përkushtuar për njëri-tjetrin.
“Familja Traynor ishin anëtarë të dashur dhe të përfshirë në komunitetin e Oshawa,” thuhej në një faqe të mbledhjes së fondeve për varrimin e tyre.
Drejtoresha e shkollës katolike të Durham ofroi mbështetje për nxënësit dhe familjet që njihnin familjen Traynor.
“Fjalët nuk mund ta shprehin tronditjen tonë për këtë ngjarje të tmerrshme. Komuniteti katolik i rrënjosur te besimi, lutet për anëtarët e familjes dhe të tjerë të prekur nga ky lajm shkatërrues”, tha Tracy Barill.
Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të masakrës.
Top Channel