Pasi mbi 100 persona kaluan natën e së shtunës në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës para se të mund të hynin në shtetin grek, e njëjta situatë po përsëritet.
Kuota prej 300 personash që mund të kalojnë përmes këtij pikëkalimi u plotësua prej orës 8.30 të mëngjesit ndërsa qindra të tjerë mbeten në pritje duke rrezikuar që të gdhihen këtu. Mes temperaturave të larta dhe kushteve të vështira prindër me fëmijë të vegjël, të moshuar por edhe të sëmurë janë duke qëndruar në pritje me shpresën se do të mund të kalojnë kufirin para mëngjesit të së hënës.
Krahas peripecive të shumta shqetësim për emigrantët që kanë mbërritur prej mëngjesit mbetet edhe afati prej 72 orësh i tamponit.
Për emigrantët shqiptarë edhe pse plotësojnë të gjitha kriteret e vendosura nga shteti grek, është e pamundur të llogaritin paraprakisht nëse janë brenda kuotës prej 300 personash që mund të kalojnë kufirin çka bën që ata të nisin udhëtimin dhe të përballen me peripeci të shumta pikërisht në territorin doganor.
Top Channel